Vendimi i Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF) për t’ia hequr titullin Senegalit dhe për t’ia dhënë atë Marokut ka shkaktuar reagime të ashpra në futbollin afrikan. Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) ka konfirmuar se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ndërsa qeveria ka kërkuar hetim të pavarur për atë që e cilëson si korrupsion të dyshuar brenda CAF-it.
Presidenti i FSF-së, Augustin Senghor, e quajti vendimin një “precedent të rrezikshëm”, duke shprehur bindjen se CAS do ta rrëzojë atë. Ai theksoi se sipas rregullave të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB), vendimet e gjyqtarit janë përfundimtare dhe nuk mund të ndryshohen pas përfundimit të ndeshjes. Kujtojmë se Senegali kishte fituar finalen 1-0 në janar.
Vendimi për t’i dhënë Marokut fitoren 3-0 në tavolinë u mor nga komiteti i apelit i CAF-it, pasi disa lojtarë të Senegalit u larguan nga fusha për rreth 15 minuta në shenjë proteste ndaj një penalltie të akorduar.
Senghor shkoi edhe më tej në reagimin e tij publik, duke akuzuar presidentin e CAF-it, Patrice Motsepe, për lejimin e një situate ku “një vend mund të diktojë rregullat e veta”. Ai pretendoi se vendimi është marrë në një “takim sekret në Kajro” dhe ngriti pyetje të forta mbi integritetin e institucionit.
“Ata guxuan ta bëjnë këtë. Afrika dhe bota do ta dinë se kush janë kampionët e vërtetë. Senegali do ta mbajë trofeun e tij sido që të ndodhë. Turp për futbollin afrikan”, deklaroi ai.
Ngjarja që çoi në këtë vendim lidhet me finalen e tensionuar, ku trajneri Pape Thiaw dhe disa lojtarë të tij u larguan përkohësisht nga fusha në shenjë proteste, përpara se të riktheheshin pas ndërhyrjes së kapitenit Sadio Mané.
Fillimisht, organet disiplinore të CAF-it kishin shqiptuar gjoba dhe pezullime për të dyja palët pa ndryshuar rezultatin e ndeshjes, por vendimi i fundit ka përmbysur gjithçka dhe ka hapur një debat të madh në futbollin afrikan. /Telegrafi/