Shumë njerëz përpiqen ta mbrojnë shpinën duke shmangur lëvizjen, por kërkimet e fundit sugjerojnë të kundërtën. Lëvizja dhe aktiviteti fizik mund të ndihmojnë që disqet ndërvertebrore të përshtaten dhe të funksionojnë më mirë
Ass. MSc. PT. Rilind Shala
Master i Shkencave të Fizioterapisë
Nëse kërkoni në internet për dhimbjen e mesit, shumë shpejt do të hasni në një ide që përsëritet vazhdimisht: se disqet ndërvertebrore me kalimin e viteve “konsumohen”, “degjenerohen” dhe përfundimisht bëhen burim i problemeve të shtyllës kurrizore.
Kjo mënyrë e të menduarit është bërë aq e zakonshme, sa për shumë njerëz shtylla kurrizore duket si një strukturë e brishtë që duhet mbrojtur vazhdimisht. Shpesh këshillat që jepen janë të njëjtat: shmangni ngritjen e peshave, kini kujdes me përkuljet, mos e ngarkoni shumë shpinën.
Por në vitet e fundit, kërkimet shkencore kanë filluar ta vënë në pikëpyetje këtë mënyrë të thjesht të të kuptuarit të diskut ndërvertebror. Gjithnjë e më shumë evidenca sugjeron se realiteti është pak më kompleks – dhe ndoshta edhe më optimist.
Disku ndërvertebror nuk është vetëm një strukturë që degjenerohet me kalimin e kohës. Ai është një ind biologjik që, në kushte të caktuara, mund të përshtatet.
Disqet ndërvertebrore ndodhen mes rruazave të shtyllës kurrizore dhe veprojnë si amortizatorë natyralë. Ato përballojnë forcat që krijohen gjatë ecjes, uljes, ngritjes apo aktiviteteve të tjera të përditshme.
Një fakt interesant është se disku ndërvertebror nuk ka furnizim të drejtpërdrejtë me gjak. Kjo do të thotë se ai nuk ushqehet në të njëjtën mënyrë si shumë inde të tjera të trupit.
Në vend të kësaj, metabolizmi i tij mbështetet kryesisht në një mekanizëm tjetër: lëvizjen.
Sa herë që shtylla kurrizore lëviz, disku përjeton një cikël të vazhdueshëm kompresimi dhe dekompresimi. Ky proces ndihmon në qarkullimin e lëngjeve dhe të lëndëve ushqyese brenda diskut.
Me fjalë të tjera, lëvizja nuk është thjesht diçka që disku e toleron. Në një farë mënyre, ai ka nevojë për të. Në praktikën klinike shpesh ndodh që njerëzit me dhimbje të mesit të fillojnë të kenë frikë nga lëvizja. Kjo frikë zakonisht lind kur shtylla kurrizore përshkruhet si e “dëmtuar”, “e konsumuar” apo “e degjeneruar”
Kur një person fillon ta perceptojë shtyllën e tij si të brishtë, është e natyrshme që ai të përpiqet ta mbrojë atë duke reduktuar aktivitetin fizik.
Problemi është se shmangia e lëvizjes shpesh krijon një rreth vicioz: muskujt dobësohen, toleranca ndaj ngarkesës bie dhe çdo aktivitet fillon të duket më i vështirë. Në këtë mënyrë, përpjekja për ta mbrojtur shpinën mund ta bëjë atë edhe më të ndjeshme.
Çfarë thotë kërkimi shkencor për aktivitetin fizik?
Në vitet e fundit janë publikuar disa studime interesante që kanë analizuar disqet ndërvertebrore te njerëzit fizikisht aktivë.
Rezultatet sugjerojnë se aktivitetet dinamike, si ecja e shpejtë apo vrapimi i moderuar, lidhen me karakteristika më të favorshme të diskut, përfshirë hidratim më të mirë dhe strukturë më të qëndrueshme.
Këto gjetje nuk nënkuptojnë se aktiviteti fizik është një zgjidhje magjike për çdo problem të shtyllës kurrizore. Por ato sugjerojnë se disku ndërvertebror mund të reagojë ndaj ngarkesës mekanike në mënyra që më parë nuk janë marrë mjaftueshëm parasysh.
Ky koncept nuk është i ri në biologjinë e indeve. Tendinat, muskujt dhe kockat të gjitha përshtaten ndaj stresit mekanik. Në shumë raste, ekspozimi gradual ndaj ngarkesës i bën ato më rezistente.
Nuk është e paarsyeshme të mendojmë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe me diskun ndërvertebror.
Ushtrimet janë një nga ndërhyrjet më të studiuara për dhimbjen e mesit, dhe në përgjithësi rezultatet janë pozitive. Megjithatë, një nga përfundimet më interesante të literaturës shkencore është se nuk ekziston një formë e vetme ushtrimi që të jetë qartësisht superiore ndaj të tjerave.
Kjo mund të duket surprizuese, por në fakt ka një mesazh të rëndësishëm: ndoshta ajo që ka më shumë rëndësi nuk është ushtrimi specifik, por fakti që njerëzit vazhdojnë të lëvizin.
Programet e ushtrimeve që përshtaten me preferencat dhe stilin e jetës së individit shpesh janë ato që funksionojnë më mirë, sepse kanë më shumë gjasa të vazhdojnë në kohë.|
Në vend që ta shohim shtyllën kurrizore si një strukturë që duhet mbrojtur nga çdo formë ngarkese, ndoshta është më e dobishme ta shohim atë si një sistem biologjik që mund të trajnohet gradualisht.
Në rehabilitim, ky parim njihet si ngarkesë e dozëzuar. Ideja është që indet biologjike shpesh bëhen më të forta kur ekspozohen ndaj stresit mekanik në mënyrë të kontrolluar dhe progresive. Në këtë kuptim, aktiviteti fizik nuk është domosdoshmërisht rrezik për shtyllën kurrizore. Në shumë raste, ai mund të jetë pikërisht ajo që i duhet për të funksionuar më mirë.
Një nga mesazhet më të rëndësishme që po del nga kërkimet e fundit është se shtylla kurrizore e njeriut është shumë më rezistente sesa shpesh mendojmë.
Sigurisht, problemet e shtyllës kurrizore ekzistojnë dhe nuk duhet minimizuar vuajtja e njerëzve që përjetojnë dhimbje kronike. Por ndoshta është koha të rishikojmë mënyrën se si flasim për këto struktura. Sepse mënyra se si i përshkruajmë ato mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si njerëzit lëvizin, ushtrohen dhe e perceptojnë trupin e tyre.
Ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm është ky: në vend që të përpiqemi ta mbrojmë diskun ndërvertebror nga çdo formë ngarkese, duhet të mësojmë si ta ekspozojmë atë ndaj ngarkesës së duhur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Sepse në fund të fundit, shtylla kurrizore nuk është krijuar për të qëndruar e palëvizshme.
Ajo është krijuar për të lëvizur. /Telegrafi/
Referenca:
Shala, Rilind. “Rethinking the disc: from degenerative narrative to adaptive potential.” British Journal of Sports Medicine (2026).