Një ekspozitë e re në Galerinë e Artit të Cyrihut rikthehet te artisti belg, te gratë e egra të botës së tij të demimondës që skandalizuan Epokën e Bukurisë – dhe vazhdojnë të tronditin publikun edhe sot.
Nga: Christian House / The Guardian (titulli: ‘He paints phalluses the way others paint landscapes’: the disturbing genius of erotica pioneer)
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë një jave përvëluese në Paris në vitin 1878, artisti bohem belg Félicien Rops, pikturoi një tablo të një gruaje që shëtit derrin e saj manar. Në të, gruaja është me sy të lidhur dhe e zhveshur – përveç disa çorapeve, dorezave të gjata të zeza dhe një kapeleje elegante me pendla – dhe derri ka një bisht të vogël rozë të përdredhur. Pornokracia – që përafërsisht përkthehet si “pushteti i kurvërisë” – është një imazh që të ngulitet në mendje. Pasi e sheh, është e vështirë ta harrosh.
Lexo po ashtu:
– Erotika e civilizimit Moçe
– Erotika e Rodenit
– Zhdukja e erotizmit
– Erotika dhe artistët e Rilindjes
Ropsi ka thënë se e krijoi veprën e tij më të famshme “në një apartament të mbinxehur, plot me aroma të ndryshme, ku opopanaksi dhe ciklameni më jepnin ethe të lehta të favorshme për krijimin ose edhe për riprodhimin”. Siç do ta zbulojnë me habi – ose ndoshta me indinjatë – vizitorët e Laboratorit të Epshit [Laboratory of Lust], një ekspozitë e re mbi Ropsin në Galerinë e Artit të Cyrihut [Kunsthaus Zurich], çiftëzimi dhe piktura ishin të lidhura në mënyrë të pashlyeshme në psikikën e Ropsit.
“Edhe shikuesit e sotëm ndonjëherë mbeten pa frymë”: “Tundimi i Shën Antonit”, 1878, nga Félicien RopsFoto: Biblioteka Mbretërore e Belgjikës (KBR), Bruksel
Në fund të shekullit XIX, Ropsi krijoi një opus të gjerë me vizatime, gravura, shtyp dhe piktura me një guxim të jashtëzakonshëm – shpesh të përziera me elemente satanike – aq sa edhe Picasso reagoi ndaj tij me admirim (si homazh, spanjolli vizatoi një karikaturë të një burri në formë derri që kryen seks oral ndaj një gruaje). Veprat e Ropsit paraqisnin shtriga të zhveshura që fluturonin me fshesa, soditës me kapela cilindrike dhe kurtizane që ngisnin biçikleta në formë penisi. Kritiku francez i artit, Félix Fénéon, e quajti atë “artist që pikturon fallusë ashtu siç të tjerët pikturojnë peizazhe”.
“Edhe shikuesit e sotëm ndonjëherë mbeten pa frymë – qoftë kur shohin një grua të zhveshur të lidhur në një kryq, një pariziene provokuese që shëtit derrin e saj, apo një Evë që kapet në grackë nga një gjarpër fallik”, vëren Ann Demeester, drejtoreshë e Galerisë së Artit në Cyrih. Ropsi do ta kishte dashur një reagim të tillë. Duke shkruar për imazhet e tij më tronditëse, ai ka thënë: “Nganjëherë bëj gjëra të tilla për ta ngritur prapanicën time në nivelin e fytyrave tuaja”.
Ropsi lindi në Namur, në Belgjikën qendrore, në vitin 1833. Djali i një industrialisti të pasur, ai ishte një dekadent i ardhshëm i pamundur për t’u parashikuar. Studioi drejtësinë dhe u martua me vajzën e një magjistrati, i cili zotëronte një kështjellë lokale. Ai mund të ishte rehatuar në jetën e një pronari tokash në fshat, por arti, Parisi dhe aventurat dashurore e thërrisnin. Me një mjekër cjapi të mprehtë si brisk dhe shikim të ngrysur, Ropsi dukej si një Ethan Hawke i sotshëm. Ai përsosi një stil të veshjes së shkujdesur boheme.
Vështirë për t’u harruar … “Pornokracia”, 1896, nga Félicien RopsFoto: Biblioteka Mbretërore e Belgjikës (KBR), Bruksel
Puna e tij si ilustrues, për autorë si Charles Baudelaire dhe Paul Verlaine, kaloi nga subjektet realiste drejt imazheve të tij famëkeqe fantastike të grave të botës së demimondës – të cilat ai i quante Ropsiene. Ai i shihte gratë moderne si femra fatale [femme fatales], por në fakt objektivi i tij i vërtetë ishin burrat borgjezë.
Edhe jeta e tij personale e dashurisë përputhej me artin e tij. Pasi braktisi gruan dhe djalin, ai jetoi për tri dekada në një treshe [ménage à trios] me motrat Léontine dhe Aurélie Duluc, dhe pati fëmijë me të dyja. Ai përballoi zemërimin e elementeve më moraliste të shoqërisë së Epokës së Bukur [Belle Époque], dhe situata e tij familjare jokonvencionale mbështeti një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme: nga mesi i viteve ‘70 të shekullit XIX, ai ishte ilustruesi më i paguar në Paris. Vdiq në moshën 65-vjeçare, në vitin 1898, po atë vit kur mori dekoratën Legjioni i Nderit [Légion d’honneur]. Në vitet e fundit të jetës ka kultivuar trëndafila.
“Ora e Shabatit”, 1874, Félicien RopsFoto: Biblioteka Mbretërore e Belgjikës (KBR), Bruksel
Ekziston një grup i vogël, por i përkushtuar koleksionistësh për veprat e Ropsit, thotë Claude Piening, specialist i pikturës evropiane të shekullit XIX në Sotheby’s. “Akuarelet dhe pikturat e tij në vaj nuk dalin shpesh në treg, sepse shumë prej tyre janë tashmë në duart e muzeve dhe koleksionistëve. Ajo që shfaqet më shpesh është puna e tij e shtypur dhe, nëse jeni bibliofil, do ta shihni veprën e tij në faqet hyrëse të librave”. Një akuarel i rrallë dhe i drejtpërdrejtë, Kalvari (Satanikët), ku një grua mbytet nga flokët e saj ndërsa është e shtrënguar nën organet gjenitale të një Satani të kryqëzuar, u shit në Sotheby’s në vitin 2007 për rreth 160 mijë paundë. Katalogu i ankandit vërejti: “Testikujt e Satanit, që qëndrojnë mbi fytyrën e gruas si një beretë, janë më shumë komikë sesa të frikshëm”.
Nuk ka probleme në ofrimin e veprave të Ropsit në ankande ndërkombëtare. “Ka erotikë ose pornografi, por kjo nuk duhet të ngatërrohet me artin. Janë dy gjëra të ndryshme”, thotë Piening. “Subjektet e tij janë mjaft të guximshme, po, ose, për mungesë të një fjale më të mirë, origjinale. Tani, ashtu siç ishin edhe atëherë. Dhe, po, ai mund të ketë synuar të trondiste, por në të njëjtën kohë ai e bënte këtë si një artist që respekton veten”.
Félicien RopsFoto: Heritage Images/Getty Images
Ekspozita në Cyrih është organizuar nga Jonas Beyer nga Galeria e Artit në Cyrih dhe Daan van Heesch, kurator për grafika dhe vizatime në Bibliotekën Mbretërore të Belgjikës (që ka dhënë hua vepra nga koleksioni i saj prej rreth dy mijë punimesh të artistit). Do të ekspozohen albumet sekrete që ishin menduar të shiheshin në një “kabinet të koleksionistëve meshkuj”, përfshirë faqet hyrëse të romaneve pornografike dhe vizatimet e punëtoreve të seksit.
Sa e vështirë është të organizosh Laboratorin e Epshit në një epokë debatesh të kundërta rreth seksit, të #MeToo dhe OnlyFans? “Kjo është një pyetje qendrore”, pranon Beyer. “Mendoj se në Cyrih do të jetë sfidë të shfaqen vepra kaq eksplicite. Është një qytet shumë tradicional”. Fallusët ndoshta nuk përshtaten lehtë me çokollatat luksoze dhe orët e shtrenjta. “Megjithatë, ia vlen rreziku, sepse jetojmë në një kohë kur duhet të diskutohet seksualiteti. Nëse shikoni Dosjet Epstein, mendoj se duhet të flitet për mënyrën se si kultura mashkullore i percepton gratë”.
Kuratorët synojnë ta paraqesin Ropsin në mënyrë të plotë. “Ai ishte një nga artistët më të arrirë simbolistë dhe më të suksesshëm të kohës së tij, duke bashkëpunuar me të gjithë autorët e famshëm”, thotë Van Heesch. “Por, në të njëjtën kohë arti i tij është kaq shqetësues, i dhunshëm dhe tronditës, dhe njëkohësisht edhe magjepsës. Mendoj se ne duam ta shohim drejt në sy dhe ta lexojmë disi kundër rrymës, pa e ‘anuluar’ atë”. /Telegrafi/