Poezi nga: József Attila
Përktheu: Aurel Plasari
Atë grua të bukur sërish ta shikoj unë dua,
përralloren, të hijshmen, të bukurën fort atë grua,
tek shëtisnim të tre ndër kodrina, korije, bregore,
përmbi baltë e lehtë tek shkelte, serioze, gazmore,
kur si gjeth unë dridhesha tek më vështronte veç mua,
atë grua të bukur sërish ta shikoj unë dua,
ta shikoj dhe një herë, vetëm kaq, asgjë tjetër:
ëndërruese, në diell, te kopshti nën tendën e vjetër,
me një libër në duar të mbyllur si zemra e saj
ndërsa dridhet gjethnaja e dendur e vjeshtës, pastaj
me ngadalë të ngrihet ajo poshtë tendës me gjeth,
të ngurrojë, të ndërrojë mendim, të vështrojë përreth
dhe të niset në udhën që tretet mes barit të thatë,
që humbet midis lulesh të thata, në udhën e gjatë
që e pret për ta shpënë më larg dhe më larg dhe më larg,
tek i thonë lamtumirën e fundëme pemët në varg,
si fëmija nënoçkën e vdekur të shoh unë dua
atë grua të bukur që zhduket në dritë atë grua.
1936