Rikthimi i diskutimit për zgjedhjen direkte të presidentit të Kosovës u bë aktual pasditen e të enjtes, kur Vjosa Osmani procedoi në Kuvendi i Kosovës një paketë amendamentesh kushtetuese që synojnë që kreu i shtetit të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Kjo nismë i riktheu në vëmendje amendamentet e vitit 2012, kur një komision i formuar nga Kuvendi kishte propozuar ndryshime të Kushtetutës për t’u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëse ato pakësonin të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012, propozimi që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët përbën një përmirësim të të drejtës së qytetarëve.
“Gjykata konsideron që amendamenti i propozuar i Kushtetutës, i cili parasheh zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga qytetarët me të drejtë vote, është përmirësim i të drejtës së qytetarëve. Për këtë arsye, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme ta vlerësojë më tej kushtetutshmërinë e amendamentit të propozuar. Prandaj, Gjykata konkludon që neni i ri i propozuar 86.1 nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e saj.
Në atë kohë, komisioni i Kuvendit kishte propozuar disa amendamentime të Kushtetutës, duke u fokusuar në vlerësimin nëse ato ndryshime mund të pakësonin të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Përsa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, propozimi kryesor parashihte që presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.
Gjykata kishte pranuar gjithashtu disa rregulla të tjera lidhur me procesin zgjedhor. Ndër to, shpallja e zgjedhjeve presidenciale duhet të bëhej nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit. Po ashtu, ishte pranuar edhe rregulla që nëse një kandidat merr 50 për qind të votave në rundin e parë, ai të zgjidhet president.
Në vendimin e saj, Gjykata pati vlerësuar disa nene të tjera të amendamenteve si të mundshme shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, por nuk pati asnjë vërejtje ndaj neneve që lidhen me zgjedhjen e presidentit nga qytetarët. Kjo e bëri të qartë se ideja e zgjedhjes direkte të kreut të shtetit kishte bazë juridike dhe nuk cenonte të drejtat themelore të qytetarëve.
Rikthimi i këtij diskutimi në vitin 2026 vjen në një moment të ndjeshëm politik.
Presidentja Osmani po hyn në muajin e fundit të mandatit të saj dhe bazuar në deklarimet e fundit, partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një mandat të dytë, por përkundrazi propozoi kandidaturën e Glauk Konjufcës për president.
Nisma e Osmanit për të proceduar amendamentet ka për qëllim t’i mundësojë qytetarëve të vendosin drejtpërdrejt për presidentin, duke sjellë në diskutim mundësinë e një modeli tjetër të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Analistët dhe ekspertët e fushës politike vënë në dukje se, megjithëse amendamentet e vitit 2012 u vlerësuan si të pranueshme nga Gjykata Kushtetuese, implementimi i tyre në rrethanat aktuale parlamentare është kompleks dhe kërkon konsensus të gjerë politik, pasi çdo ndryshim kushtetues përzgjedhjet direkte të presidentit kërkon miratimin e një shumice të cilësuar prej 80 deputetësh, përfshirë 14 vota nga komunitetet jo-shumicë./Telegrafi.
Vendimin e Kushtetueses mund ta lexoni KËTU.