Në episodin e radhës të “Përballje Podcast”, ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, ka analizuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në politikën globale, rajonin dhe Kosovën.
Ai theksoi se për vendet e vogla si Kosova është jetike të ndjekin nga afër zhvillimet ndërkombëtare, pasi efektet e tyre reflektohen drejtpërdrejt edhe në jetën e përditshme.
“Për vendet e vogla nganjëherë duket se nuk kemi luks të merremi me tema ndërkombëtare, por duhet të merremi më shumë me to sesa vendet e mëdha, sepse ne afektohemi menjëherë. Nëse rritet çmimi i naftës, kjo ndikon menjëherë edhe në çmimet dhe në jetën tonë”, tha Malazogu, shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasja luftarake e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Iranin janë rezultat i një sërë kalkulimesh gjeopolitike, energjetike dhe strategjike.
Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ai ka shpjeguar disa nga arsyet kryesore që, sipas analizave ndërkombëtare, mund të kenë çuar në sulmet ndaj Iranit nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Dobësimi i aleatëve të Kinës dhe Rusisë
Një nga motivet që përmendet në analizat ndërkombëtare lidhet me rivalitetin mes fuqive të mëdha dhe pozicionin e Iranit në këtë përplasje.
“Një nga motivet që shpesh citohet është vullneti për të dobësuar një aleat të Kinës dhe Rusisë. Irani është një partner i rëndësishëm i këtyre dy fuqive”, theksoi Malazogu, shkruan Telegrafi.
Leon Malazogu – Ish ambasador i Kosovës dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova
Kontrolli mbi burimet e naftës e energjetike
Ai theksoi se një faktor tjetër lidhet me rëndësinë e Iranit në tregun global të burimeve te naftës dhe përpjekjet për të kufizuar ndikimin e rivalëve strategjikë.
“Ka një vullnet për të vendosur nën kontroll burimet e naftës dhe energjetike në një botë që po bëhet gjithnjë e më konfrontuese dhe për të zvogëluar ndikimin kinez e rus mbi naftën e energjinë globale, sidomos pas Venezuelës ”, deklaroi ai.
Rasti Epstein dhe shpërqendrimi i vëmendjes nga çështje të brendshme në SHBA
Malazogu përmendi gjithashtu se në disa analiza ndërkombëtare përmendet edhe mundësia që tensionet me Iranin të kenë shërbyer për të zhvendosur vëmendjen nga debatet e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara që lidhen me rastin Epstein.
“Disa burime e theksojnë se administrata amerikane mund të ketë dashur të shpërqendrojë vëmendjen nga tema të brendshme, siç janë presionet për publikimin e dokumenteve që lidhen me rastin Epstein”, tha Malazogu.
Sipas tij, kjo është një nga hipotezat që qarkullon në analizat mediatike dhe politike.
Programi bërthamor i Iranit
Sipas tij, për dekada një nga arsyet kryesore që Izraeli ka shtyrë për veprime ndaj Iranit lidhet me shqetësimet për programin bërthamor të këtij shteti.
“Tradicionalisht arsyeja kryesore që është përmendur për ndërhyrje në Iran ka qenë parandalimi i armatimit bërthamor”, u shpreh Malazogu.
Megjithatë, ai thekson se pavarësisht këtyre motiveve të mundshme, ende nuk është plotësisht e qartë se cili është objektivi përfundimtar i këtij operacioni dhe se si do të zhvillohen ngjarjet në Lindjen e Mesme në javët dhe muajt në vijim.
“Unë akoma nuk e kam të qartë se cili është objektivi përfundimtar – a është ndryshimi i regjimit apo vetëm dobësimi i tij dhe një udhëheqje më bashkëpunuese me Perëndimin”, përfundoi Malazogu.
Debati për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pasojat e tyre globale ishte një nga temat kryesore të diskutimit në episodin më të fundit të “Përballje Podcast”, ku u analizuan edhe ndikimet e mundshme të këtij konflikti për rajonin dhe Kosovën.
Për më shumë ndiq podcastin e plotë. /Telegrafi/