Arxhend Blakçori, ekspert i sigurisë ndërkombëtare dhe ekonomike, ka thënë se Kosova duhet të fillojë t’i analizojë në mënyrë sistematike varësitë e saj ekonomike ndaj Kinës dhe vendeve të tjera, duke e trajtuar këtë çështje edhe nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare.
Duke folur në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Blakçori tha se zhvillimet e fundit globale kanë bërë që shtetet perëndimore t’u kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi varësive ekonomike, teknologjike dhe industriale, të cilat mund të shndërrohen në dobësi strategjike në periudha krizash.
Ai mori si shembull Gjermaninë dhe përpjekjet e saj për të identifikuar sektorët ku ekonomia gjermane është e varur nga Kina, por edhe sektorët ku Pekini ka varësi nga Gjermania.
“Para dy javësh, kryeministri gjerman i ka mbledhur korporatat kryesore gjermane dhe kanë filluar ta hartojnë një dokument strategjik që ka të bëjë me identifikimin specifik të varësive ekonomike që Gjermania i ka ndaj Kinës dhe varësive ekonomike që Kina i ka ndaj Gjermanisë”, tha Blakçori, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, një qasje e tillë duhet të aplikohet edhe në Kosovë.
“Kjo, mendoj, duhet të replikohet si strategji edhe në vendin tonë”, deklaroi Blakçori, shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
Ai theksoi se rëndësia e një analize të tillë lidhet me peshën gjithnjë e më të madhe të Kinës në ekonominë dhe prodhimin global.
Sipas Blakçorit, Kina përbën aktualisht një pjesë të konsiderueshme të prodhimit botëror, ndërsa vlerësimet tregojnë se pesha e saj mund të vazhdojë të rritet edhe në vitet e ardhshme.
Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, shtetet duhet të kenë një pasqyrë të qartë se nga cilat vende varen për mallra, teknologji, materiale kritike dhe sektorë të tjerë me rëndësi strategjike. /Telegrafi/.