Nga: Julia Hotz / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Nga ndihma për njerëzit që përballen me çrregullime të lidhura me moshën, deri te ndryshimi i perceptimit tonë ndaj dhimbjes fizike, ndikimi i muzikës në trup jehon me një zë të lartë.
Çdo të premte në mëngjes, në një klasë të mbushur me diell në Limerik të Irlandës, Cathy McGlynn dhe Ann Blake, dy terapiste muzike, përshëndesin një grup këngëtarësh të ulur në rreth. Pasi i udhëheqin në ushtrime vokale, shtrirje dhe improvizime, McGlynn merr kitarën dhe nis të luajë You Are My Sunshine.
Por, ky nuk është një kor i zakonshëm, sepse pjesëmarrësit kanë një gjë të përbashkët: diagnozë të Parkinsonit – të tyre ose të një të dashuri/e.
“Këngëtarët vijnë me shumë gjëra të ndryshme. Dikush mund të ketë dridhje, dikush tjetër vështirësi në frymëmarrje. Për disa të tjerë janë problemet vokale”, thotë McGlynn për korin me emrin e duhur Parkinsongs.
Ndërsa muzika lidhet me një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore, mënyra se si ajo ndryshon trurin mund të jetë veçanërisht e dobishme.
“Angazhimi i përjetshëm me praktikën muzikore, dhe me muzikën në përgjithësi, jo vetëm që mund të përmirësojë funksionin neurologjik”, thotë Larry Sherman, profesor i neuroshkencës në Universitetin e Shkencave të Shëndetit në Oregon dhe autor i librit Çdo tru ka nevojë për muzikë [Every Brain Needs Music]. “[Ajo] mund të sigurojë një rezervë më të madhe qelizash dhe sinapsesh të cilat, nga ana tjetër, mund të vonojnë shfaqjen e sëmundjeve neurologjike të lidhura me moshën”.
Kërkimet e mbështesin këtë pretendim; jo vetëm që angazhimi me muzikën duket se ul rrezikun e disa çrregullimeve të lidhura me moshën, por ai mund të jetë i fuqishëm edhe për njerëzit që tashmë jetojnë me to.
Te personat me Parkinson, studimet kanë treguar se ndërhyrjet me këndim mund të përmirësojnë intensitetin dhe frekuencën vokale, si dhe cilësinë e jetës në lidhje me zërin. Studime të tjera tregojnë se ndërhyrjet më të gjera të bazuara në muzikë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave motorike.
McGlynn drejton gjithashtu një kor për persona që vuajnë nga demenca dhe rënia e funksionit të trurit që ajo sjell. Këtu, kërkimet sugjerojnë se ndërhyrjet muzikore mund të përmirësojnë funksionimin kognitiv dhe kujtesën episodike, si aftësinë për të rikujtuar emra, fytyra dhe histori.
Grace Meadows, terapiste muzike dhe drejtuese e organizatës londineze Music Minds Matter, ka përjetuar nga afër se sa thellësisht shëruese mund të jetë muzika për njerëzit me demencë: “Ishte hera e parë që kujdestarët e kishin parë të lëvizte pa ndihmë”, kujton ajo një grua me demencë, e cila gjatë një performance muzikore u ngrit papritur nga karrigia dhe filloi të kërcente. “Ata filluan të pyesnin: ‘Çfarë muzike tjetër i pëlqen? Çfarë tjetër mund ta ngrejë nga karrigia’”?
Si e ndihmon muzika trurin
Mekanizmat përmes të cilëve funksionon terapia me muzikë, nuk janë plotësisht të qarta dhe mund të ndryshojnë sipas diagnozës.
Për personat me demencë, kërkimet sugjerojnë se ndërhyrjet muzikore mund të përmirësojnë funksionimin kognitiv dhe se kujtesa muzikore kodifikohet në zona të trurit që mbeten të ruajtura edhe gjatë Alzhimerit. Megjithatë, një rishikim i studimeve mbi pacientët me Parkinson nuk gjeti prova për përmirësim kognitiv.
Një arsye për këto rezultate të ndryshme mund të lidhet me patologjitë unike të sëmundjeve të ndryshme të lidhura me moshën, shpjegon Sherman. “Shumëçka nga terapia muzikore, për sëmundjen e Parkinsonit, synon të ndihmojë funksionin motorik, përfshirë problemet vokale, kështu që nëse terapitë e dizajnuara për të ndihmuar kognicionin fillojnë vonë në sëmundje, kur rënia kognitive bëhet e dukshme, atëherë mund të jetë tepër vonë”.
Megjithatë, edhe te njerëzit pa diagnozë, veprimi afatgjatë i interpretimit ose këndimit muzikor është treguar se promovon një neuroplasticitet më të madh (ku truri krijon lidhje të reja nervore) dhe lidhje strukturore (rrjetëzimin e tij fizik) në shkallë më të gjerë. Sherman thotë se këto atribute janë veçanërisht të vlefshme ndërsa plakemi, pasi ndryshimet e lidhura me moshën mund të ulin funksionin tonë kognitiv.
Angazhimi me muzikën mund të zbusë ndikimin e ndryshimeve të lidhura me moshën, thotë ai, edhe kur këto ndryshime janë ekstreme. “Përvoja muzikore përfshin një territor shumë të gjerë në trurin tonë, kështu që edhe njerëzit që bëhen joverbalë ende kanë qarkun e nevojshëm për të reaguar ndaj muzikës”, shpjegon ai.
Përsëritje, përsëritje: Si mund ta shfrytëzojë trupi, fuqinë e muzikës
Kjo nuk do të thotë se popullatat më të reja nuk mund të përfitojnë gjithashtu nga praktika muzikore. Anna Zamorano, profesoreshë asistente e mjekësisë klinike në Qendrën për Muzikën në Tru të Universitetit Arhus në Danimarkë, së fundmi ka publikuar kërkime që eksplorojnë se si trajnimi muzikor te njerëzit e shëndetshëm mund të ndryshojë perceptimin e tyre ndaj dhimbjes fizike.
Pasi shkaktoi në mënyrë të sigurt dhimbje të përkohshme në dorë te subjektet e saj, Zamorano zbuloi se muzikantët përjetonin më pak parehati sesa homologët e tyre jomuzikantë; sa më shumë orë të ishte trajnuar një muzikant, aq më pak dhimbje ndiente. Sa i përket arsyes, Zamorano ofron disa teori. Njëra lidhet me shpërblimin e fitimit të një aftësie të re.
“Kur muzikantët përballojnë parehati për të zotëruar një pjesë të vështirë, truri i tyre mund të ulë natyrshëm sinjalet e dhimbjes për shkak të shpërblimit të pritshëm, si përmirësimi i performancës, arritja e zotërimit ose kënaqësia nga muzika”, thotë Zamorano.
Zamorano i referohet studimeve që tregojnë se praktika muzikore mund të rrisë aftësitë e imta motorike, përvetësimin e gjuhës, të folurin dhe kujtesën.
Nuk ka një “numër minimal të qartë orësh” që mund të garantojë përfitime në perceptimin e dhimbjes, thotë Zamorano, por ajo rekomandon që njerëzit të fillojnë duke luajtur një instrument për 30 deri në 45 minuta në ditë, në shumicën e ditëve të javës, gjë që është e krahasueshme me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për aktivitet të rregullt fizik.
“Ajo që ka më shumë rëndësi është qëndrueshmëria, sepse plasticiteti i trurit bazohet në përsëritje dhe kënaqësi, kështu që sistemet e shpërblimit dhe motivimit gjithashtu aktivizohen”.
Derisa aktivitetet e tjera, si kopshtaria, gjithashtu përfshijnë përsëritje dhe angazhojnë sistemet tona të shpërblimit, kërkimet mbi ndërhyrjet muzikore sugjerojnë se kënga ka një fuqi të veçantë.
Vetëm dëgjimi i muzikës mund të çojë në një ulje statistikisht domethënëse të dhimbjes pas operacionit. Forma të tjera të terapisë muzikore janë treguar se reduktojnë simptomat e depresionit dhe ankthit, ndërsa rrisin cilësinë e gjumit dhe mirëqenien subjektive. Një artikull shkencor madje krahasoi efektet psikologjike të muzikës me marrjen e një ilaçi – duke nxitur përgjigje të caktuara neurokimike për të prodhuar ndjenja kënaqësie, përballimi dhe shpërblimi.
Më mirë së bashku: Fuqia e përvojës në grup
Megjithatë, sado e mirë të jetë muzika më vete, shumica e kërkimeve flasin për përfitimin e dyfishtë të angazhimit në muzikë me njerëz të tjerë. “Ka një efekt të jashtëzakonshëm në trurin tonë kur këndojmë ose performojmë muzikë në grup”, thotë Sherman. “Dy neurokimikate – dopamina, që është një sinjal shpërblimi, dhe endorfinat, që mund të bllokojnë përgjigjet ndaj dhimbjes dhe stresit – veprojnë së bashku për të nxitur një ndjenjë pranimi brenda grupit”.
Hillary Moss, profesoreshë e terapisë muzikore në Universitetin e Limerikut në Irlandë, pajtohet me këtë. Duke studiuar përfitimet e këndimit në grup për të moshuar dhe duke përpiluar një hartë të parë të këtij lloji që dokumenton koret në mbarë Irlandën, ajo beson se këndimi në grup mund t’i ndihmojë njerëzit të socializohen më shpejt sesa aktivitetet e tjera të kohës së lirë.
“Ka një cilësi emocionale te muzika që mund të mos e marrësh nëse, për shembull, po merresh me kopshtari”, shpjegon Moss. “Nuk po rikujton vetëm fjalë, po rikujton një ndjenjë – dhe po merr një ndjenjë sigurie brenda muzikës me një person tjetër”. /Telegrafi/