Jeta Dida Bujari
Sa herë që publikohen raportet ndërkombëtare të vlerësimit, siç është rasti me testin PISA, shoqëria jonë përfshihet në një debat të ashpër mbi cilësinë e arsimit. Megjithatë, ky debat shpesh mbetet sipërfaqësor, duke u fokusuar te pasojat dhe jo te shkaqet burimore të krizës në sistemin tonë arsimor parauniversitar.
Një nga defektet më të mëdha, i cili anashkalohet vazhdimisht, është legjislacioni aktual që rregullon menaxhimin e shkollave publike në Kosovë.
Sistemi ynë funksionon mbi bazën e një legjislacioni që i zhvesh nga kompetencat ata që janë në vijën e parë të ballafaqimit me procesin mësimor: drejtorin e shkollës dhe Këshillin e Arsimtarëve.
Sot, në shkollat publike të Kosovës, përballemi me një monopolizim të skajshëm të vendimmarrjes nga ana e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA). Konkretisht:
– Kompetencat financiare dhe buxheti i shkollës menaxhohen jashtë saj.
– Zgjedhja e stafit arsimor bëhet ekskluzivisht nga DKA-të, duke lënë drejtorinë e shkollës pa asnjë ndikim real në përzgjedhjen e ekipit me të cilin punon.
– Zgjedhja e vetë drejtorit të Shkollës është plotësisht në kompetencë të qytetit/Komunës, çka shpesh hap dyert për politizim lokal të pozitave udhëheqëse.
Kjo gjendje përbën një paradoks të madh: Ne i kërkojmë drejtorit të shkollës të japë llogari për cilësinë e mësimdhënies, performancën e nxënësve dhe disiplinën, ndërkohë që ai apo ajo nuk ka fuqi ligjore as të menaxhojë fondet për nevojat bazike të institucionit, dhe as të zgjedhë mësimdhënësit. Kjo mungesë totale e autonomisë shkakton çrregullime të vazhdueshme, pamundëson planifikimin strategjik të institucionit dhe e degradon cilësinë e menaxhimit.
Nëse vërtet duam shkolla funksionale, kompetente dhe rritje të standardit arsimor, ky model i vjetruar duhet të marrë fund. Menaxhimi me bazë në shkollë (School-Based Management), i cili u jep autonomi dhe buxhet vetë shkollave bashkë me detyrimin për llogaridhënie të rreptë, është një standard i dëshmuar në vendet me arsim të zhvilluar.
Për t’i hapur rrugë këtij transformimi të domosdoshëm, hapi i parë është ndryshimi i ligjit. Është koha që institucionet ligjvënëse, dhe në veçanti Komisioni Parlamentar për Arsim, të reflektojnë mbi këto fakte dhe të iniciojnë urgjentisht rishikimin e kornizës ligjore. Legjislacioni duhet të rishkruhet për ta kthyer fuqinë, fondet dhe vendimmarrjen aty ku e kanë vendin: brenda mureve të shkollës.
Pa i dhënë pavarësi profesionale e menaxheriale shkollës, çdo përpjekje tjetër për të rritur cilësinë në arsim do të mbetet thjesht një premtim i parealizuar.