Kanë kaluar mbi 70 ditë nga betimi i Përparim Ramës si kryetar i Komunës së Prishtinës dhe mbi 40 ditë nga afati ligjor për emërimin e kabinetit qeverisës.
Kritika nga LVV
Për këtë vonesë, i pari i Kryeqytetit është kritikuar vazhdimisht nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i asamblistëve të kësaj partie, Gëzim Sveçla, ka kritikuar qasjen e kryetarit Rama lidhur me mosemërimin e nënkryetarit dhe drejtorëve.
“Flet për konstituimin e institucioneve qendrore ai që ende nuk ka arritur ta konstituojë kabinetin e vet komunal. Zgjedhjet Lokale u mbajtën gati dy muaj para atyre qendrore e Kryeqyteti akoma s’ka ekzekutiv”, ka shkruar ai.
Çfarë thotë Kryetari i Prishtinës
Në anën tjetër, Rama ka deklaruar se po pret formimin e një koalicioni më të gjerë në Prishtinë për të vazhduar qeverisjen.
“Ne e kemi nënkryetarët, drejtorët dhe jemi duke funksionuar duke punuar në kryeqytet pa asnjë problem. Unë kam kërkuar publikisht nga të gjitha partitë politike që të bashkohen, të bëjmë një koalicion të gjerë që të shtyjmë proceset përpara në kryeqytet dhe kjo me siguri se do të bëhet shumë shpejt”, tha i pari i Kryeqytetit ditë më parë.
Analiza nga Instituti GAP
Në lidhje me situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës, Telegrafi ka kontaktuar analistin e politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, i cili ka vlerësuar se ekziston mospërputhje mes deklarimeve dhe veprimeve të kryetarit Rama.
“Fillimisht është e rëndësishme të theksohet se emërimi i drejtorëve të drejtorive komunale është kompetencë ekskluzive dhe direkte e kryetarit të komunës dhe nuk varet aspak nga qeveria qendrore. Kjo do të thotë se kryetari ka autoritetin dhe përgjegjësinë e plotë për të marrë këtë vendim pa pasur nevojë për miratim apo koordinim me nivelin qendror. Megjithatë, është interesante të vërehet se i njëjti kryetar shpesh akuzon qeverinë qendrore për shumë projekte dhe nisma që sipas tij nuk po realizohen, ndërsa në rastin e emërimeve që janë tërësisht në kompetencat e tij, po shfaq vonesë të paprecedentë. Kjo krijon një kontraditë të dukshme mes retorikës publike dhe veprimeve konkrete”, tha ai.
Foto: Bekim Salihu/Analist politikash në Institutin GAP
Sipas Salihut, vonesat në emërime po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e komunës dhe në shërbimet publike.
“Vonesa në emërimin e këtyre drejtorëve, përveç që cenon dhe komprementon imazhin e komunës dhe mundësit për komunën, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e shërbimeve publike, pasi mungesa e udhëheqjes së qartë në drejtoritë kyçe çon në vendimmarrje të ngadaltë dhe në vështirësi për zbatimin e projekteve të planifikuara. Qytetarët e Prishtinës po përjetojnë pasoja konkrete, duke filluar nga vonesa në mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane, menaxhimit të mbeturinave, projekteve të mbetura në gjysmë ose jo të filluara”.
Ai ka shtuar se mungesa e drejtorëve krijon edhe vakum udhëheqës brenda administratës komunale.
“Mungesa e drejtorëve krijon gjithashtu një vakum udhëheqës që ndikon negativisht në motivimin dhe organizimin e stafit ekzistues në këto drejtori. Pa një drejtues të emëruar, ekipet nuk kanë orientim strategjik të qartë dhe shpesh hezitojnë të marrin iniciativa për zgjidhjen e problemeve të përditshme. Kjo sjell një lloj paralize administrative që dëmton funksionimin normal të institucioneve komunale”.
Sipas Salihut, kjo situatë ngre edhe çështje të transparencës dhe llogaridhënies.
“Nga aspekti i transparencës dhe llogaridhënies, kjo vonesë mund të interpretohet si mungesë gatishmërie për të filluar punën e vërtetë dhe për të realizuar zotimet e fushatës zgjedhore. Çdo ditë që kalon pa drejtorë të emëruar është një ditë e humbur dhe dëshmi e një qasje ku nuk përfillen parimet e qeverisjes së mirë”, përfundoi ai.
Telegrafi ka kontaktuar edhe Komunën e Prishtinës për të pyetur se kur pritet emërimi i nënkryetarit dhe drejtorëve, por deri në kohën e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/