Një moment tejet emocional është shënuar në shtëpinë e Big Brother Vip Kosova 4, ku i ftuar special ka qenë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Shyti, i cili ndau rrëfime prekëse nga përjetimet e tij gjatë luftës.
Ai kujtoi me emocione të forta një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij, plagosjen e bashkëluftëtarit dhe familjarit të tij, Adnan Shyti, i cili në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç. “Sa herë që flas për Adnanin kam emocione… atë ditë kemi pas luftime nga të gjitha anët e fushëbetejës. Më ka thirrë në radiolidhje dhe më ka thënë se ishte plagosur. Kur arrita tek ai, pashë se granada e kishte goditur afër zemrës. E mora në prehër dhe thashë: ‘Ishalla e kemi fatin sikur ky luan, me vdek për vatan’”, rrëfeu ai, duke prekur banorët dhe publikun.
Veterani falënderoi edhe Shqipërinë për mbështetjen që, sipas tij, u kishte dhënë gjatë luftës, sidomos në aspektin e armatimit, ndërsa theksoi se qëllimi i vetëm i luftës ka qenë mbrojtja e vendit. “Luftën e kemi bërë për shtëpinë tonë, jo për me i marrë dikujt territore”, u shpreh ai.
– YouTube youtu.be
Në deklaratat e tij, Shyti u ndal edhe te zhvillimet politike e historike, duke thënë se nëse dënohen drejtuesit e luftës, atëherë sipas tij duhen përmendur edhe figura ndërkombëtare që e mbështetën Kosovën, si Bill Clinton dhe Madeleine Albright.
Vizita e tij u konsiderua një nga momentet më domethënëse të këtij edicioni, duke sjellë një atmosferë reflektimi dhe respekti në një format televiziv që zakonisht karakterizohet nga dinamika loje dhe debatet mes banorëve. /Telegrafi/