Nga: Michael Waldman, regjisor i dokumentarit të ri The Tony Blair Story,[1] që zbërthen suksesin e jashtëzakonshëm të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një kohë kur rezonimi politik i Keir Starmerit po vihet në pikëpyetje, dekadën kur Tony Blair ishte në pushtet disa po e shohin si një epokë të artë stabiliteti dhe prosperiteti – si dhe të menaxhimit të zgjuar politik. Ai e emëroi Peter Mandelsonin, por më pas e shkarkoi dy herë.
Tony Blair nuk ishte thjesht udhëheqësi më i suksesshëm elektoral i Partisë Laburiste në historinë e saj – tri fitore të njëpasnjëshme në zgjedhjet e përgjithshme, përfshirë atë që erdhi dy vjet pas asaj që shumë vetë e shohin si gabimin e tij më të rëndë, pushtimin e Irakut – por, gjithashtu, pasi hyri në Kryeministri [Downing Street] në fillim të dyzetave, ai ka ndërtuar një karrierë të dytë të jashtëzakonshme. Instituti “Toni Bler” për Ndryshim Global [Tony Blair Institute for Global Change – TBI] punëson rreth një mijë vetë në afro 50 vende. Pasi e binda të merrte pjesë në serinë tonë me tri pjesë në Channel 4, Historia e Toni Blerit [The Tony Blair Story], e pyeta nëse ka po aq pushtet tani sa kishte në Kryeministri [No 10]. Ai u përgjigj: “Jo aq pushtet sa kisha kur isha kryeministër – por, ndikim – po, deri diku.”
Si e ushtron ai atë ndikim? Ish-ministrat, e po ashtu ish-kryeministrat, variojnë nga figura të dështuara e të konsumuara, të promovuara shumë përtej aftësive të tyre, deri tek udhëheqës të mprehtë me intuitë, përvojë dhe aftësi të qëndrueshme politike që janë të paçmueshme.
Instituti i Blairit publikon sasi të mëdha kërkimesh mbi shumë nga çështjet me të cilat qeveritë aktuale po përballen, dhe vetë Blairi këshillon personalisht udhëheqës në mbarë botën. Gjatë pandemisë, për shembull, TBI-ja e zhvendosi të gjithë fokusin e tij në këshillimin e qeverive për përballimin e kësaj sfide të paprecedentë për shërbimet publike. Siç më ka thënë Tom McTague, redaktor i New Statesman: “Ishte Instituti ‘Toni Bler’ që dukej se ishte përpara qeverisë. Papritur fillove të shihje kryeministra që shkonin të takonin Tony Blairin ose që i kërkonin Tony Blairit të vinte në Kryministri. Liz Truss e takoi, Boris Johnsoni e takoi, dhe Keir Starmer sigurisht që e takoi para se të bëhej kryeministër. Ky është lloji i ndikimit që ai ka arritur të ndërtojë për veten”.
Çfarëdo që të mendosh për Tony Blairin, ai është pa mëdyshje një figurë kyçe në historinë e Britanisë. Ai është gjithashtu një njeri bota e të cilit, në disa aspekte, është rrënuar – prioritetet e tij në fund të fundit ishin pjesëmarrja në Evropë, inkurajimi i globalizimit të menaxhuar, ndërhyrja dhe një qasje centriste kundër si të majtës ashtu edhe të djathtës. Gati 20 vjet pas largimit nga detyra, ai ende lufton për ato ide – por, siç më tha: “Nëse do të më kishe thënë se Nigel Farage do të bëhej një akter kyç në politikën britanike dhe Jeremy Corbyn do të drejtonte Partinë Laburiste, do të kisha thënë se kjo nuk do të ndodhte kurrë – por, gabova. Të dyja ndodhën”.
Ai vazhdoi: “Njerëzit në këto vitet e fundit janë zhvendosur ndaj disa prej gjërave për të cilat unë këmbëngulja … por, unë mbetem i përkushtuar ndaj atyre gjërave … Historia nuk është statike, ajo ndryshon dhe njerëzit, mendoj unë, me kohë do të kuptojnë se ka merita në pozicionin që unë kisha”.
Siç e thotë McTague: “Ekziston një ndjenjë e tij si një lloj personazhi tragjik, por në kuptimin origjinal grek të ballafaqimit me fatin, duke u përpjekur të skalisë botën në një rend botëror liberal, ndërkombëtar, demokratik. Kjo ishte ajo që përfaqësonte Britania bleriste. Britania do të ishte fanari i kësaj bote dhe pastaj ajo shembet në diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që ai imagjinonte, por megjithatë ai ende i qëndron besnik idesë se mund ta shohë të ardhmen”.
Gjithmonë pragmatist, siç është, ai megjithatë po përshtatet ndaj realiteteve, për shembull të punës me presidentin aktual të ShBA-së. Bindja e Blairit se ai ende ka diçka për të ofruar nuk është e kujdesshme: është një hap i rrezikshëm për reputacionin e tij në bashkimin me bordin ekzekutiv të “bordit të paqes” të Trumpit.
Ai është një figurë kaq kontroverse – subjekt i një shkalle urrejtjeje të thellë që pak udhëheqës e përjetojnë – saqë isha i intriguar të shihja se si i menaxhon emocionet e veta kur përballet me një përbuzje të tillë. Qëndrueshmëria është qartësisht një cilësi e nevojshme për të gjithë udhëheqësit, por edhe një shkallë mizorie: isha i intriguar të depërtoja nën sipërfaqe për të kuptuar çfarë çoi në suksesin e tij të jashtëzakonshëm në të kaluarën – dhe vendosmërinë e tij për të vazhduar që të ushtrojë ndikim në të tashmen.
E përballa me Irakun, me personazhet e dyshimtë me të cilët u mor pasi u largua nga Kryeministria, me dëshirën e tij për të bërë para etj. Nganjëherë u bë i irrituar nga këmbëngulja për këto pyetje, dhe ndonëse nuk e humbi kurrë plotësisht qetësinë, u hap në mënyra të papritura, në aspektin emocional dhe psikologjik. Ai foli me ndjesi të vërtetë për ngjarjet traumatike familjare në fillim të moshës madhore: dukej në prag të lotëve kur fliste për natën e zgjedhjeve të majit 1997, duke përmbushur ëndrrën e të atit për t’u bërë kryeministër, por duke i munguar nëna e ndjerë. Pas muajsh të tërë përpjekjesh, arritëm të intervistonim edhe Cherien [gruan e Blairit], e cila është jashtëzakonisht e hapur, dhe më pas fëmijët e tij. Është një portret intim, ndonëse prekës.
Natyra e jetës familjare, kur jeton në atë që Cherie e përshkroi si “akuariumin” e Kryeministrisë, është patjetër e çuditshme me pasiguritë e saj të veçanta. E pyeta për atmosferën në kohën e votimit në Parlament për pushtimin e Irakut: “Ai ishte shumë i vetëdijshëm se kjo mund të nënkuptonte që ai të mos ishte më kryeministër dhe se do të nënkuptonte … një tronditje të madhe për familjen tonë. Dhe, kështu ai u ul me tre më të mëdhenjtë [fëmijët e tyre] … se të gjithëve mund të na duhej të largoheshim deri në fund të javës nëse do ta kishte humbur votimin”.
Tre nga fëmijët e tij që intervistova – Euan, Kathryn dhe Leo – nuk kishin folur kurrë më parë për të atin dhe ishin të relaksuar, gazmorë dhe të hutuar. Lidhur me efektin e peshës së përgjegjësive të të atit, Euani tha: “Mund të shihje që kishte momente të presionit ekstrem, sidomos kur ai merrte vendime madhore, veçanërisht ato që përfshinin jetë njerëzish. Babai gjithmonë ka pasur këtë zakon … do të flisje me të … dhe ai do të shkëputej dhe do të mendonte për diçka krejtësisht tjetër, dhe mund të shihje që momentet e asaj shkëputjeje shtoheshin ndërsa më shumë gjëra rëndonin mbi supet e tij”. Dhe, për faktin që i ati nuk rri thjesht ulur në një kolltuk me një libër të mirë, Kathryn theksoi: “Ai nuk ndalet. Mendoj se është më i zënë sesa ishte atëherë”. Pse? “Sepse ai thjesht nuk ka mbaruar. Ai dëshiron të bëjë punën që kishte vendosur të bënte dhe, kështu, nuk do të ndalet”.
Folëm me kritikët dhe me kolegët – disa prej të cilëve ishin vetë çuditërisht të ashpër. Peter Mandelson, të cilin arrita ta intervistoja një ditë para se të fluturonte për në Uashington për të marrë detyrën e tij të atëhershme si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në ShBA, erdhi i shpërqendruar nga moria e detyrave që ende duhej të përfundonte para se dita të mbaronte, por në 55 minutat që patëm me të, ai e lavdëroi dhe po ashtu e kritikoi ish-shefin e tij. Ajo intervistë u zhvillua një vit më parë, para se të dilte në pah shkalla e marrëdhënies së tij me Jeffrey Epsteinin.
Të jetosh në Planetin Bler për disa muaj ishte një përvojë magjepsëse: edhe disa prej atyre që ishin kundërshtarët e tij më të mëdhenj nuk mund të mos admironin aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Duke e intervistuar Blairin gjerë e gjatë, pashë vetë aftësinë e tij fenomenale për të të bindur dhe për të të magjepsur – por, edhe mendjen e tij ende tejet të mprehtë. Ai nuk ka nevojë për ndonjë këshilltar imazhi apo person të marrëdhënieve me publikun për ta këshilluar se si të përballet me pyetje të vështira – dhe duket rehat në lëkurën e vet.
Ish-presidenti Bill Clinton, duke përshkruar një debat që kishin pasur, më tha: “Siç themi ne në shtëpi, ai mund ta bindte një buf të zbriste nga pema”. /Telegrafi/
__________________
[1] The Tony Blair Story jepet në Channel 4 më 17, 18 dhe 19 shkurt, në orën 21:00.