Qoftë duke krijuar pop mikrotonal apo duke luajtur me instrumente të Renesancës me kocka deleje, një brez i artistëve të guximshëm po e bëjnë muzikën, që vërtet është e çuditshme, pjesë të rrjedhës kryesore – por, a janë në mëshirën e algoritmit?
Nga: Nathan Evans / The Guardian (Titulli: AI slop, begone! The viral musical virtuosos bringing brains and brilliance back to social media)
Përkthimi: Telegrafi.com
Chloë Sobek është muzikante nga Melburni që luan violonën, një pararendëse e kontrabasit nga Renesanca. Por, në vend që ta luajë në mënyrën tradicionale, ajo vendos copa kartoni që lëkunden midis telave ose përdor një kockë deleje si hark, dhe këto ndërhyrje të çuditshme janë bërë tërheqëse për algoritmin e Instagram-it, duke i siguruar dhjetëra-mijëra – ndonjëherë qindra-mijëra – shikime për secilën prej videove të saj të realizuara nga vetë ajo. “Pavarësisht se si mund të duket, jam person mjaft i turpshëm”, thotë ajo.
Kur kryevepra robo-minimaliste e Laurie Andersonit, O Superman, arriti në vendin e dytë në top-listat e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1981, falë transmetimit të pandërprerë në emisionin radiofonik të John Peelit, ky ishte një sinjal i fuqisë së një mediumi për ta shtyrë muzikën eksperimentale drejt rrjedhës kryesore. Kjo po ndodh sërish tani, pasi interpretues të instrumenteve të përpunuara, si Sobek, plus pianistë eksperimentalë, këngëtarë mikrotonalë dhe shumë interpretues të tjerë solo që shtyjnë kufijtë, po dalin rregullisht nga rrethet nëntokësore falë videove – zakonisht të xhiruara nga vetë ata në shtëpi – që po bëhen virale në TikTok dhe Instagram.
Mund të keni hasur një version të një kënge të Mitskit të luajtur në një shkallë të errët mikrotonale, ose një pjesë pianoje ku interpretuesi vizaton me vrull një rreth mbi tastierë, ose, në rastin e Brad Barrit, një dron i tendosur i krijuar duke tërhequr një copë të gjatë poliesteri nëpër telat e kitarës së tij. Gjithë kjo sugjeron se publiku i gjerë është në fakt shumë më pranues ndaj muzikës së çuditshme sesa mendojnë shumëkush – por, pse po rezonon kaq fort?
Suksesi i këtyre virtuozëve të dhomës së gjumit tashmë po kalon në botën reale: pasi fitoi miliona shikues me performancat e saj solo ekspresioniste në piano dhe sintetizator, muzikantja nga Arkanzasi (dhe mësuese pianoje me kohë të pjesshme), Precious Renee Tucker, u ftua së fundmi të performonte për heroinën e saj, Solange Knowles. “Ende po përpunoj gjithçka”, thotë ajo. TikTok-u i saj është një fletore digjitale kaotike e miqësisë së saj të përjetshme me pianon, me përshkrime plot pasthirrma entuziaste si “nuk e di!!!” dhe “muzika është pëlhurë!!!”. Gjithmonë nxjerr gjëra pa menduar shumë për nevojën për t’i kuptuar”, thotë ajo. “Janë vërtet këto fragmente të vetes sime”.
Artistë të tjerë eksperimentalë, si Maddie Ashman dhe Bryan Deister, po magjepsin përdoruesit e TikTok-ut me muzikë mikrotonale, që në thelb është një hapësirë e gjerë notash disonante të fshehura midis shkallës së standardizuar perëndimore. “Kjo në tranon, është sikur kemi jetuar në një matricë tingujsh muzikorë të përshkruar si ‘në rregull’”, lexohet në një koment nën një nga këngët e Ashmanit.
“Udhëhiqem nga pyetjet”, thotë Ashmani, një muzikante britanike që krijon pop mikrotonal të mbushur me harmoni të pazakonta dhe ndërthurje të paparashikueshme vokale – një teknikë me linja melodike të ndërthurura – që të kujton heroinën e madhe të avangardës, Meredith Monk. “Jam më e lumtur kur lëviz mes vendeve dhe kur i afrohem një instrumenti ashtu si do t’i afrohesha një tjetri”. Gjatë ngritjes së saj katërvjeçare në platformat e videove të shkurtra, që kulmoi me publikimin e EP-së së saj debutuese javën e kaluar, ajo e ka përqafuar mikrotonalitetin sepse është diçka që pak artistë mund ta bëjnë. “Për shumë njerëz, përvoja e tyre me muzikën mikrotonale është se nuk munden ta interpretojnë, dhe kjo dhemb”.
Ajo i bazon videot e saj rreth elementit të befasisë, duke nisur me interpretimin e shkallës së papërpunuar mikrotonale dhe më pas duke nxjerrë prej saj një këngë magjepsëse. “Mendoj se kjo funksionon mirë për algoritmin”, hamendëson ajo, “sepse njerëzit kanë një pritshmëri për atë që do të jetë. Pastaj ne i sfidojmë ato pritshmëri dhe njerëzit ndiejnë diçka”.
Megjithatë, si suksesi i Andersonit në top-lista, këta muzikantë janë po aq përçarës sa edhe të spikatur; çdo video ka pjesën e saj të kritikëve, që vënë në dyshim vlefshmërinë e muzikës. “Njerëzit fillojnë me debate në komente”, thotë Sobeka dhe, në rastin e saj, shpesh shprehin shqetësim për instrumentin e saj. “Sepse është ky instrument i bukur i Renesancës dhe unë dukem sikur po e godas e njerëzit thonë: ‘Si mund ta bësh këtë’? Por, mënyra si luaj është në fakt mjaft e butë nëse do ta shihnit nga afër. Po them që këto instrumente të vjetra nuk duhet të jenë prapa xhamit. Në një farë mënyre, unë po u jap më shumë jetë sesa dikush që përpiqet të riprodhojë historinë”.
Ky provokim e bën Sobekan të dallohet në mediat sociale, një ekonomi e vëmendjes ku çdo koment – pozitiv apo negativ – regjistrohet si angazhim; ndërkohë, muzikantët e rrjedhës kryesore si Rosalía dhe Jacob Collier, vitet e fundit kanë nxitur interes për interpretimin klasik dhe teorinë e muzikës. Por, suksesi i Sobekës, Ashmanit etj. vjen kryesisht nga entuziazmi i sinqertë i njerëzve që janë mpirë nga kultura e mërzitshme e influencuesve dhe përmbajtja e dobët e krijuar nga inteligjenca artificiale. “Ne vërtet dëshirojmë diçka krejtësisht të re, ose të paktën të frymëzohemi për ta pasur atë perspektivë”, thotë Tucker. “Të heqim dorë nga e kaluara dhe të shkëputemi nga ajo që kemi parë më parë, dhe të kemi guximin të bëjmë diçka krijuese që nuk ka ekzistuar ende”.
Në një mënyrë të tërthortë, ky është një riangazhim që ka qëllim artin eksperimental: të provokojë dhe të masë reagimin duke lakuar rregullat e padukshme. “Kjo është pjesa ime e preferuar e sferës eksperimentale”, thotë Tucker me buzëqeshje. “Nuk po them patjetër se mënyra si luaj unë është e saktë apo standard. Më pëlqejnë shumë bisedat që lindin: A është kjo e pranueshme? A tingëllon mirë? Çfarë është kjo”? Ajo e krahason procesin me një laborator me plot shkencëtarë që krahasojnë shënimet e veta.
Megjithatë, disa komente nën videot e artisteve femra kalojnë në mizogjini. “Ka padyshim një element që unë jam grua dhe po bëj diçka kongrontuese”, thotë Sobeka. “Marr shumë reagime të forta prej burrave, dhe pyes veten nëse do të ishte ndryshe po të isha burrë. A do të ishte paksa më e pranueshme”? Ashman vëren një model të ngjashëm me ekspertë të vetëshpallur meshkuj që vënë në dyshim se sa “vërtet mikrotonale” është muzika e saj, por thotë se “tani jemi në një shoqëri ku shumica e njerëzve mund të qeshin me ta në vend që të lëndohen, dhe kjo është e mrekullueshme ta thuash”.
Pavarësisht suksesit të tyre në internet, këta artistë janë gjithashtu të shqetësuar për algoritmet e mediave sociale që promovuan videot e tyre në radhë të parë. “A mund ta ruaj të njëjtin mendim se po e bëj këtë për argëtim? A mund të bëj pushim, apo duhet të vazhdoj të krijoj dhe ta publikoj pavarësisht gjithçkaje”? – pyet Tucker.
“Gjithmonë ka pasur roje portash”, argumenton Sobeka. “Mendojmë se interneti i ka demokratizuar gjërat, por ende përcaktohet nga ky algoritëm roje porte. Është e njëjta gjë”.
Kjo jo vetëm krijon presion për të postuar rregullisht, por videot e shkurtra mund të shtrembërojnë idenë se çfarë është në të vërtetë arti eksperimental – në sytë e atyre që sapo e kanë zbuluar përmes një algoritmi. “Po e shtyn këtë ide të spektaklit dhe nuk mendoj se arti është vetëm spektakël”, thotë Sobeka. “Do të postoj një video më ‘serioze në aspektin muzikor’ dhe nuk do të marrë as afërsisht aq interes sa gjërat argëtuese dhe të çmendura”.
Por, videot e shkurtra ofrojnë gjithashtu mënyra të reja për t’u shprehur – mund ta shihni në vargjet e mbivendosura që zbresin shkallëve pas Ashmanit në videot e saj, ose në mënyrën si çdo klip me kualitet të dobët dhe impulsiv nga Tucker bashkohet në një trup unik veprash – dhe ky është arti në një dialog publik unik me audiencën e tij. “Është befasuese”, thotë Tucker, “që kaq shumë njerëz janë të gatshëm të jenë në këtë hapësirë të së panjohurës dhe të mos kenë një përgjigje të menjëhershme në një hapësirë digjitale kaq të menjëhershme ku mund të kesh çdo lloj stimulimi që dëshiron. Jam krenare për të gjithë ne që kemi guximin të shkojmë atje”. /Telegrafi/