Prefektura e Qarkut Durrës ka paralajmëruar qytetarët dhe strukturat përgjegjëse për reshje të dendura shiu që priten të zgjasin për katër ditë, duke filluar nga 6 shkurt 2026.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, reshjet mund të shkaktojnë vështirësi dhe problematika në banesa, biznese, infrastrukturë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
“Bazuar në informacionin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për periudhën 06-10 shkurt 2026, parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në territorin e Qarkut Durrës, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi dhe problematika. Nisur nga situatat e mëparshme, është e domosdoshme që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, njofton Prefektura.
Autoritetet bëjnë thirrje për marrjen e masave parandaluese, monitorim të vazhdueshëm të situatës në terren, raportim të menjëhershëm të çdo problematike që mund të lindë dhe koordinim ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve, të shmangin zonat e përmbytura dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të minimizuar rreziqet.