Mesfushori portugez Bernardo Silva ka vendosur të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni.
Tashmë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës në karrierën e tij profesionale.
E ardhmja e Bernardo Silvës duket se do të jetë larg “Etihad Stadium”.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, lojtari është i vendosur të mbyllë kapitullin e tij te klubi anglez sapo t’i përfundojë kontrata aktuale, duke i dhënë fund një etape jashtëzakonisht të suksesshme në Ligën Premier.
Edhe pse vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në planet e Pep Guardiolës me 33 paraqitje zyrtare këtë sezon, portugezi beson se ka ardhur momenti i duhur për të kërkuar sfida të reja, teksa i afrohet fazës përfundimtare të karrierës së tij.
Javët e fundit, emri i tij është lidhur me disa klube të mëdha evropiane.
Mes tyre spikat Barcelona, e cila për shkak të situatës ende të ndjeshme financiare, mund të jetë e interesuar të sigurojë shërbimet e një lojtari të këtij niveli pa paguar tarifë transferimi.
Po ashtu, Benfica dhe disa klube të Serie A po monitorojnë nga afër situatën e tij.
I formuar pikërisht te Benfica, Bernardo Silva kaloi më pas te Monaco, para se në janar të vitit 2017 të transferohej te Man City.
Me fanellën e “Qytetarëve”, ai ka regjistruar plot 440 ndeshje zyrtare, duke shënuar 73 gola dhe dhënë 78 asistime.
Pa dyshim, Bernardo Silva konsiderohet një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e afërt të Manchester Cityt dhe largimi i tij do të shënojë fundin e një epoke. /Telegrafi/