Kancelari gjerman, Friedrich Merz po përballet me mundësinë e largimit nga detyra që këtë fundjavë, vetëm 16 muaj pasi mori postin, kur premtoi një program ambicioz reformash dhe deklaroi se Gjermania do të rikthehej në rolin udhëheqës në Evropë.
Në prag të zgjedhjeve të rëndësishme rajonale të së dielës në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe Berlin, ku partisë së tij, Bashkimit Demokristian (CDU) të qendrës së djathtë, i kërcënohen humbje të dhimbshme, zyrtarë të lartë të partisë po diskutojnë në prapaskenë nëse Gjermanisë i nevojitet i ashtuquajturi “Kanzlertausch”, pra ndryshimi i kancelarit, për të ndalur rënien e shpejtë të mbështetjes për qeverinë.
Popullariteti i Merzit në nivel kombëtar ka rënë këtë javë në vetëm 14 për qind, ndërsa një sondazh i ri tregon se aleanca e partive konservatore CDU/CSU ka zbritur në nivelin rekord prej 18 për qind.
I njëjti sondazh tregon se Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme kryeson me 29 për qind. AfD së fundmi doli e para edhe në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt, duke iu afruar shumicës absolute, ndërsa CDU-ja e Merzit humbi më shumë se gjysmën e mbështetjes së votuesve të saj.
Aleatët evropianë dhe ndërkombëtarë po e shohin me shqetësim situatën në Gjermani, e cila dikur konsiderohej një bastion i stabilitetit gjatë 16 viteve të qeverisjes së Angela Merkelit. Tani vendi po përballet me mundësinë e një tjetër ndryshimi të shpejtë në krye të qeverisë. Paraardhësi i Merzit, Olaf Scholz, u përball me shpërbërjen e koalicionit qeverisës në nëntor të vitit 2024.
Vendimi i Merzit për të anuluar udhëtimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme ka treguar qartë përmasat e krizës së tij të brendshme politike.
“Prania e tij nevojitet në Berlin”, tha një zyrtar i lartë gjerman, ndërsa kancelari po përballet me një krizë politike që vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e tij në detyrë.
Politico ka analizuar pesë skenarë se si mund të zhvillohet kriza politike në krye të Gjermanisë.
1. Merz jep dorëheqjen për shkak të humbjes së mbështetjes në parti
Kancelari Friedrich Merz ka thirrur për të dielën, në orën 17:00, një mbledhje të udhëheqjes së partisë së tij, e cila do të zhvillohet në të njëjtën kohë kur priten edhe projeksionet e para të rezultateve të zgjedhjeve rajonale, në orën 18:00.
Në këtë takim, Merz raportohet se dëshiron t’i pyesë kolegët e partisë nëse vazhdojnë ta mbështesin atë dhe planin e tij të reformave. Nëse përgjigjja është negative, ai pritet t’u kërkojë të propozojnë një kandidat të mundshëm për pasardhësin e tij.
Duke kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë, Merz do të përpiqet të shfrytëzojë dobësinë e kritikëve të tij: mungesën e një konsensusi të qartë se kush duhet ta zëvendësojë atë.
Kryeministri i Nordrhein-Westfalenit, Hendrik Wüst (CDU), përmendet shpesh si pasardhës i mundshëm, por në prill ai përballet me zgjedhjet në landin e tij me popullsinë më të madhe në Gjermani, ndaj momenti për kandidaturën e tij nuk do të ishte ideal. Një tjetër mundësi është Markus Söder i Unionit Kristian-Social (CSU), partia simotër e CDU-së në Bavari, por edhe ai ka një numër të konsiderueshëm kritikësh. Në mesin e kandidatëve të tjerë, më pak të mundshëm, përmenden kryeministri i Hessenit, Boris Rhein (CDU), dhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt (CSU).
Megjithatë, nëse zgjedhjet e së dielës rezultojnë në një katastrofë të plotë për konservatorët e Merzit dhe partia nuk arrin as të kalojë pragun zgjedhor prej pesë për qind për të hyrë në parlamentin rajonal të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore, gjë që do të ishte hera e parë që CDU-ja dështon ta bëjë këtë në ndonjë zgjedhje rajonale, pakënaqësia brenda CDU/CSU-së mund të përshkallëzohet dhe të çojë në kërkesa të gjera për dorëheqjen e Merzit.
Përballja nuk do të duhej domosdoshmërisht të ndodhte të dielën, por mund të zhvillohej gjatë ditëve ose javëve në vijim. Nëse Merz do ta pranonte një rezultat të tillë, ai mund ta njoftonte presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për synimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Steinmeier më pas, me shumë gjasë, do t’i kërkonte të qëndronte në detyrë në një mandat teknik, deri në zgjedhjen e një kancelari të ri nga parlamenti.
Megjithatë, kjo nuk do të ishte e thjeshtë. Çdo pasardhës i Merzit do të duhej të siguronte votat e partnerit të koalicionit të CDU/CSU-së, Partisë Socialdemokrate (SPD), e cila në këmbim ka gjasa të kërkonte lëshime të caktuara. Kjo do të hapte negociata të gjata për rinegocimin dhe riformulimin e marrëveshjes së koalicionit.
Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se Merz mund të qëndronte në pushtet edhe për disa muaj dhe të përfaqësonte Gjermaninë në skenën ndërkombëtare, për shembull gjatë negociatave për buxhetin e Bashkimit Evropian.
Situatën e komplikon edhe më tej shumica e ngushtë e koalicionit në Bundestag. Gjithmonë ekziston rreziku që disa deputetë të ndryshojnë qëndrim gjatë votimit të fshehtë, ashtu siç i ndodhi vetë Merzit gjatë raundit të parë të zgjedhjes së kancelarit vitin e kaluar.
2. Votëbesimi mund ta detyrojë Merzin të largohet
Presioni brenda partisë, në vetvete, nuk mund ta detyrojë Merzin të japë dorëheqjen. Për arsye historike, Kushtetuta gjermane i garanton një pozitë shumë të qëndrueshme kancelarit të zgjedhur nga parlamenti.
Për këtë arsye, e vetmja mundësi për largimin e tij me forcë do të ishte përmes një mocioni mosbesimi. Megjithatë, Kushtetuta gjermane kërkon që një votim i tillë të jetë “konstruktiv”, që do të thotë se në të njëjtën kohë duhet të zgjidhet një kandidat alternativ, i cili duhet të sigurojë shumicën e votave dhe të zëvendësojë Merzin.
Për këtë arsye, ky skenar konsiderohet shumë pak i mundshëm. Përveç dëmit politik që CDU/CSU do të pësonte në opinionin publik nëse do të tentonte hapur ta rrëzonte kancelarin e saj në parlament, është gjithashtu pak e mundshme që një kandidat alternativ të mund të siguronte menjëherë numrin e nevojshëm të votave.
Kjo lidhet edhe me shumicën e ngushtë të koalicionit në Bundestag dhe me negociatat që me shumë gjasë do të duhej të zhvilloheshin paraprakisht me SPD-në.
3. Merz kërkon votëbesimin
Merz mund të kërkojë vetë një votim për besimin në qeveri, me synimin për të treguar se ende gëzon mbështetje të mjaftueshme brenda koalicionit – ose për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një skenar i tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën, së fundmi me Olaf Scholzin në dhjetor të vitit 2024.
Nëse Merz do ta humbiste votimin, presidenti Steinmeier do të mund të vendoste shpërndarjen e Bundestagut brenda 21 ditësh – por vetëm nëse Merz do t’ia kërkonte këtë.
Megjithatë, duke pasur parasysh pozicionin e fortë të AfD-së në sondazhet aktuale, as CDU-ja dhe as SPD-ja nuk kanë interes, në këtë moment, që të zhvillohen zgjedhje të reja.
Gjithashtu, brenda këtyre 21 ditëve do të ishte e mundur zgjedhja e një kancelari të ri, nëse një pasardhës do të arrinte shpejt të siguronte shumicën e nevojshme.
Në përgjithësi, as ky skenar nuk konsiderohet veçanërisht i mundshëm.
4. Mbështetja e së djathtës ekstreme kundër Merzit
Teorikisht, një pasardhës i Merzit mund ta siguronte shumicën e nevojshme në parlament me mbështetjen indirekte të AfD-së, përmes formimit të një qeverie të pakicës, ose edhe duke krijuar një koalicion me këtë parti të së djathtës ekstreme.
CDU/CSU dhe AfD së bashku do të kishin një shumicë të rehatshme në parlament, por një zgjidhje e tillë do të nënkuptonte thyerjen e të ashtuquajturit “mur mbrojtës” të Gjermanisë ndaj së djathtës ekstreme – parim politik përmes të cilit partitë tradicionale përjashtojnë bashkëpunimin me AfD-në.
Megjithatë, kjo ide është e papranueshme për shumë figura të rëndësishme të partisë. Edhe vetë Merz e ka përjashtuar mundësinë që të qëndrojë në pushtet me mbështetjen e së djathtës ekstreme.
5. Merz përpiqet të qëndrojë me çdo kusht në pushtet
Ndryshe nga situata pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, kur kancelari dukej i dekurajuar dhe mbajti një fjalim jo bindës në Bundestag, këtë herë ai duket se dëshiron të luftojë për të mbijetuar në krye të qeverisë.
Pozitën e Merzit e ka forcuar një letër e nënshkruar të mërkurën nga tetë kryeministra rajonalë të qendrës së djathtë, mes tyre Wüst dhe Rhein, por jo Söder. Në letër thuhet se Gjermanisë i nevojiten “besueshmëri dhe veprim”, dhe jo “debate për çështjet kadrovike”.
Në letër përmenden edhe zgjedhjet që vitin e ardhshëm do të mbahen në Francë, Itali, Poloni, Spanjë dhe Greqi, duke vlerësuar se Evropës tani i nevojitet “një Gjermani e qëndrueshme dhe e fuqishme”.
Megjithatë, letra është larg të qenit një mbështetje pa rezerva për Merzin. Emri i tij madje nuk përmendet dhe është e mundur që qëllimi i letrës të jetë edhe qetësimi i debateve të brendshme në parti, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme të së dielës.
Sidoqoftë, letra mund të jetë shenjë se në mesin e zyrtarëve të lartë të partisë, për momentin, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për shkarkimin e Merzit. Në vend të kësaj, partia mund të përpiqet të bashkojë radhët dhe të rikthejë mbështetjen e publikut, duke i kërkuar SPD-së të zbatojë reforma edhe më të fuqishme sociale. /Telegrafi/