Vitin e kaluar në Gjermani u regjistruan më shumë se 16 mijë aksidente me skuterë elektrikë, në të cilat u lënduan rreth 15 mijë persona.
Brenda vetëm katër vitesh, numri i të lënduarve nga këto aksidente është trefishuar. Të dhënat tregojnë gjithashtu se fëmijët dhe të rinjtë e moshës 10 deri në 18 vjeç janë grupi më i prekur.
Duke analizuar të dhënat spitalore, studiuesit kanë identifikuar dy skenarë kryesorë që lidhen me aksidentet me skuterë elektrikë dhe llojet e dëmtimeve që shkaktojnë. I pari është rrëzimi anësor, kur skuteri humb kapjen në një kthesë, në zhavorr ose në gjethe të lagura dhe rrëshqet anash. Në këto raste, zakonisht dëmtohet pjesa e sipërme e trupit, ndërsa lëndimet në shpatulla, krahë dhe duar janë shumë të zakonshme.
Skenari i dytë është përplasja ballore, e cila ndodh kur rrota e vogël e përparme ndalon papritur, për shembull pasi përplaset me bordurën ose futet në një gropë të thellë në rrugë. Drejtuesi më pas hidhet përpara mbi timon.
Pikërisht në rastet e përplasjeve ballore, studiuesit kanë zbuluar një lidhje të rëndësishme me nivelin e alkoolit te drejtuesi. Kur një person i kthjellët përplaset dhe hidhet përpara mbi timon, reflekset e tij mbrojtëse funksionojnë. Zakonisht ai arrin të përdorë duart për të zbutur rënien, duke shkaktuar shpesh fraktura të kyçeve, gërvishtje në duar ose dëmtime të shpatullave, ndërsa koka zakonisht mbrohet relativisht mirë.
Te një drejtues i dehur, këto reflekse mbrojtëse janë plotësisht ose pjesërisht të dëmtuara. Për pasojë, ai nuk arrin ta zbusë rënien me duar dhe shpesh përplaset me kokë dhe fytyrë drejtpërdrejt në asfalt. Kjo mund të shkaktojë fraktura të rënda të fytyrës, dëmtime të dhëmbëve dhe madje lëndime të trurit që rrezikojnë jetën.
Një tjetër faktor i rëndësishëm në rritjen e numrit të aksidenteve është transportimi i dy ose edhe tre personave në të njëjtin skuter elektrik. Kur pesha dyfishohet dhe ndryshon qendra e gravitetit, kontrolli i mjetit bëhet shumë më i vështirë. Sipas të dhënave të klubit gjerman të automobilizmit ADAC, numri i aksidenteve ku kishte edhe pasagjerë është rritur deri në 60 për qind vetëm gjatë vitit të kaluar.
Dizajni i skuterëve elektrikë nuk fal gabime gjatë drejtimit. Prandaj, ekspertët këshillojnë respektimin e rregullave të qarkullimit dhe mbajtjen gjithmonë të helmetës.
Testet e kryera nga klubi zviceran i automobilizmit TCS tregojnë se edhe një helmetë e zakonshme biçiklete mund të ulë ndjeshëm rrezikun e dëmtimeve të rënda të trurit në rast aksidenti. Po ashtu, këshillohet që të mos transportohet kurrë një person tjetër në skuterin elektrik. /Telegrafi/