Teksa fashistët protestojnë në portet e Mbretërisë së Bashkuar dhe përhapin marrëzira e helm në internet, gjithnjë e më pak njerëz kanë këndvështrimin ose mjetet analitike për t’i sfiduar.
Nga: John Harris / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Paramendojeni këtë. Krejt rastësisht, faqja juaj në TikTok ju shfaq pamje të fashistëve që rishtazi morën pjesë në demonstrime force të organizuara në Dover dhe Portsmuth (dhe, të mërkurën, jashtë zyrave londineze të Daily Mail-it, duke kërkuar një shtëpi të re për nënën e udhëheqësit të tyre Daniel “Tommo” Thomas). Për aq kohë sa pamjet arrijnë t’ju mbajnë në vëmendje, shihni dhe dëgjoni copëza shpjegimesh, por më pas, si zakonisht, vazhdoni të lëvizni gishtin në ekran te dikush që hidhet nga një ndërtesë e lartë, te një përleshje në metronë e Londrës ose një qen që bënë marifete.
Hipotetikisht, përdoruesit e TikTok-ut mund të kalojnë 260 video në më pak se 35 minuta. Dhe, pikërisht kjo mënyrë e shpërqendruar dhe me ritëm të shpejtë – nëpërmjet së cilës kaq shumë njerëz marrin informacion – mund të jetë përgjegjëse për një statistikë shqetësuese të YouGov-it javën e kaluar. Sondazhi i tij për ngjarjet në Dover dhe Portsmuth tregoi se 53 përqind e personave të moshës 18-24 vjeç thjesht nuk kishin qëndrim nëse demonstratat me maska ishin “një mënyrë legjitime proteste”. Për më tepër, 43 përqind e personave të të gjitha moshave ose nuk kishin dijeni për ngjarjen, ose nuk po e ndiqnin fare.
Lexo po ashtu:
– Agimi i shoqërisë post-shkrim-lexim
– Libra dhe ekrane
– Mediat sociale, rrjedhja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit
– Arti i humbur i leximit të një libri të vërtetë
– Nëse leximi i librave ka marrë fund, le të ringjallim poemën epike gojore
– Të lexuarit
Këto shifra ndoshta nxjerrin në pah një nga aspektet më shqetësuese të kohës në të cilën jetojmë: rënien e leximit. Miliona prej nesh e dinë se si ndihet ky fenomen: përpiqesh dëshpërimisht ta mbash vëmendjen të ngulitur te një libër apo artikull lajmesh, me bindjen bezdisëse se do të tundohesh të rikthehesh te tërheqjet më kalimtare që të ofron telefoni. Por, një formim në botën para-digjitale i ndihmon njerëzit jo vetëm të ndjekin ngjarjet kombëtare dhe globale, por edhe t’i qartësojnë dhe t’i vendosin ato në kontekst. Në këtë rast, duke rrezikuar të tingëlloj si një pompoz i pashpresë, frika që shumë prej nesh ndien – ndërsa shihnim çfarë ndodhi në të dy portet – ishte me siguri e mbushur me këndvështrime të përftuara prej viteve të tëra të leximit të librave dhe gazetave dhe me ndjesinë se historia shpesh ose përsërit vetveten ose rimon.
Burra të veshur me të zeza – le të jemi të sinqertë: me uniformë – që duan të “rimarrin kufijtë tanë, të rivendosin rendin dhe të dërgojnë një mesazh të qartë: Britania u përket britanikëve”, ndërsa pretendojnë se po mbrojnë gratë dhe vajzat: e gjithë skena ishte vendosur diku mes këmishëzinjve të Oswald Mosleyt – dhe, rrjedhimisht, Hitlerit dhe nazistëve – dhe Ku Klux Klan-it, ndërsa kapuçat që dukeshin pothuajse kudo i jepnin gjithçkaje një nuancë të konfliktit të Irlandës së Veriut. Por, nëse pjesën më të madhe të informacionit e merrni në formën e një përzierjeje shpërqendruese dhe në dukje të pafundme imazhesh të rastësishme në lëvizje, çfarë do të dinit për shumicën e këtyre gjërave?
Të gjitha këto më erdhën ndër mend falë një libri të ri të shkëlqyer, që shënon atë që fare mirë mund të jetë një moment transformues për shoqëritë në mbarë botën. Epoka e re e errët [The New Dark Ages] është vepër e kolumnistit të Times-it, James Marriott, dhe mban nëntitullin Fundi i leximit dhe agimi i një shoqërie post-shkrim-lexim [The End of Reading and the Dawn of a Post-Literate Society]. Me sa duket, për t’iu përshtatur ndryshimeve që përshkruan, libri është i shkurtër: 208 faqe. Por, është gjithashtu plot zgjuarsi dhe me ndjesi urgjence.
Në 20 vjetët që nga koha kur Fondacioni Kombëtar për Shkrim-Leximin [National Literacy Trust] i Mbretërisë së Bashkuar nisi të shqyrtonte leximin te fëmijët dhe të rinjtë, ka pasur një rënie prej 36 përqind të numrit të atyre që thonë se u pëlqen të lexojnë në kohën e lirë, duke e çuar këtë shifër në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Në vitin 2024, The Guardian raportoi për një sondazh të organizatës bamirëse Agjencia e Leximit [Reading Agency] i cili zbuloi se 35 përqind e të rriturve thanë se tashmë ishin “lexues të shkëputur”, që do të thotë se dikur lexonin rregullisht për kënaqësi, por tani e bënin këtë “rrallë ose kurrë”.
Revista The Atlantic botoi së fundmi një artikull me titullin e guximshëm Fundi i leximit është këtu [The End of Reading Is Here], autorja e të cilit, Rose Horowitch, bëri një sërë pohimesh shqetësuese. “Epoka e shkrim-leximit do të rezultojë të ketë qenë vetëm një ndërmjetësim i shkurtër mes epokës gojore dhe asaj digjitale”, shkroi ajo dhe u mbështet në një mori provash dhe anekdotash. Për shembull, një drejtor programi në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave [American Academy of Arts and Sciences] organizoi grupe diskutimi duke pyetur nxënës të shkollave të mesme për leximin për kënaqësi. Përfundimi: “Shumica e konsideronin atë një praktikë të panjohur”. Kur Marriotti shkroi për herë të parë për këtë, thotë ai, “disa profesorë raportuan se nuk ishte se të rinjtë dhe të rejat në klasat e tyre nuk dëshironin të lexonin, por se dukeshin pothuajse të paaftë për ta bërë këtë”.
Në Britani, më shumë se 320 gazeta u mbyllën mes viteve 2009 dhe 2019, një statistikë të cilën libri e pason me një sugjerim të zymtë: “Po bëhet gjithnjë e më e mundur ta kalosh jetën pa pasur fare kontakt me lajmet”. Pas referendumit të Brexit-it të vitit 2016, takova njerëz që thoshin se thjesht kishin ndaluar së ndjekuri çështjet aktuale, sepse i çmendnin aq shumë; tani pyes veten nëse ajo që e nxiste vërtet këtë shkëputje ishte teknologjia. Padituria që rezulton – fjalë e fortë, por më duket e përligjur – rrethohet nga një mur mbrojtës i ekraneve të telefonave: duket sikur e vetmja gjë që mund ta çajë atë duhet të jetë e zemëruar, paranojake dhe vizualisht tronditëse.
Dhe, për shkak të rënies së leximit, njerëzit që përhapin të gjitha marrëzitë dhe helmin mund të jenë gjithnjë e më të sigurt se gjithnjë e më pak njerëz do të hasin diçka sadopak kritike ose analitike. Në këtë kuptim, epoka e ekraneve mishërohet nga – po, pikërisht – Donald Trumpi, i cili, sipas një këshilltari ekonomik gjatë mandatit të tij të parë, “nuk lexon asgjë – as memo njëfaqëshe, as dokumente të shkurtra politike, asgjë”. Stili i tij i të folurit është po aq analfabet: siç shkruan Marriott, “ai nuk ofron prova për idetë e tij. Në vend që ta organizojë informacionin në mënyrë analitike përmes fjalive kryesore dhe fjalive të varura, siç ndodh në komunikimin e shkruar, ai thjesht grumbullon pohime”.
Ryshfeti i tij i propozuar elektoral prej pesë mijë dollarësh është një shembull surreal, por ka plot të tjerë. Kohët e fundit pashë një video në internet të Sean Duffyt, ish-prezantuesit të Fox Business-it, i cili tani është sekretari i Transportit i Trumpit. Ai po gëzohej me përpjekjen e administratës për t’i hequr qafe butonat e ndezjes start-stop në makina – kryesisht, sipas përshtypjes sime, për shkak të një lidhjeje të çuditshme, thuajse frojdiane, me formën falike ose afërsisht të tillë, të çelësave tradicionalë. Po të shkruhej si përpjekje për një argument koherent, çështja e tij do të dukej qesharake. Por, e hedhur me ton popullor e të ashpër si “fiksim personal” i Duffyt, mund ta përfytyroja të pritej ngrohtësisht pikërisht prej njerëzve të cilëve ai u drejtohej. E njëjta gjë, sigurisht, vlen edhe për çfarëdo numri qëndrimesh dhe pasionesh shumë më malinje trumpiste: mohimi i ndryshimeve klimatike, racizmi i pacipë ndaj somalezo-amerikanëve, islamofobia e përhapur dhe pa pendesë, si dhe ideja se ShBA-ja është gati të pushtohet prej kriminelëve dhe të burgosurve apo pacientëve të institucioneve mendore të vendeve të tjera.
“Shkrim-leximi masiv është dukuri e kohëve të fundit”, shkruan Marriott. “Edhe demokracia masive është e tillë. Thjesht nuk e dimë nëse njëra mund të mbijetojë pa tjetrën”. Ndërkohë, në miliona ekrane, pseudo-milicitë fashiste, populistët e financuar nga manjatët e kriptomonedhave dhe tregtarët e tjerë të urrejtjes dhe absurditetit përzihen me akrobatë, debate në metro dhe qen që bëjnë marifete. Kjo ua heq kontekstin dhe, në këtë mënyrë, normalizon ngritjen e tyre – dhe, centimetër pas centimetri, lëvizim drejt një të ardhmeje me jehona të së shkuarës, të cilat tepër shumë njerëz nuk do të kenë arritur t’i kuptojnë. Dhe, këtë herë, nuk do të ketë libra për t’u djegur, sepse kemi pushuar së lexuari. /Telegrafi/