Qeveria në detyrë e Kosovës po përballet me kritika për gjoja tejkalim kompetencash në lidhje me një varg vendimesh që i mori së voni, ndërsa ndaj pjesëtarëve të saj u dorëzuan kallëzime penale për mbajtjen e funksioneve të dyfishta.
Pasi një aktgjykim i vitit të kaluar i Gjykatës Supreme e cilësoi të kundërligjshëm ushtrimin e dy funksioneve, janë shtuar pikëpyetjet nëse ata mund të hetohen edhe penalisht. Çfarë thonë ekspertët ligjorë, cilat vepra penale mund të hyjnë në konsideratë dhe deri ku shtrihet përgjegjësia e një qeverie në detyrë?
Me gjithë aktgjykimin e vitit 2025 të Gjykatës Supreme të Kosovës se ushtrimi i dy funksioneve është i kundërligjshëm, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, prej javësh është edhe deputet. Ngjashëm, ministra në detyrë janë aktualisht edhe anëtarë të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Teksa Qeveria në detyrë e Kosovës u përball me kritika për gjoja tejkalim kompetencash për shkak të disa vendimeve të fundit, janë ngritur pikëpyetje edhe nëse pjesëtarët e saj duhet të bartin përgjegjësi penale për veprimet e tyre.
Derisa deri më tani ata nuk janë prekur, kallëzimet e reja penale, të dorëzuara nga kundërshtarët e tyre politikë këtë javë, dhe aktgjykimi i gjykatës më të lartë në sistemin e rregullt ligjor të vendit kanë krijuar kushte për hetimin e tyre, sipas ekspertëve ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Çfarë baze kanë prokurorët për t’i ndjekur ata penalisht?
Dorëzimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Speciale ndaj pjesëtarëve të Qeverisë në detyrë s’është diçka e re. Një gjë e tillë ndodhi edhe në marsin e 2026-tës. Dhe, deri më tani asgjë s’ka ngjarë pas kallëzimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Tash, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca bënë kallëzime të ndara penale ndaj ministrave në detyrë dhe vendimeve të tyre.
Ekspertë ligjorë thonë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri dhe ministrat në detyrë “me dashje” po marrin vendime që mund të përbëjnë vepër penale e për të cilat duhet të bartin përgjegjësi, duke qenë të vetëdijshëm se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme ua ndalojnë ushtrimin e funksioneve të dyfishta, dhe se Ligji për Qeverinë ua kufizon kompetencat.
Sipas tyre, prokurorët duhet të provojnë se, përmes vendimeve që marrin, duke ushtruar dy funksione, qeveritarët në detyrë po e shkelin detyrën zyrtare.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se qëllimi është element “esencial dhe i rëndësishëm” për prokurorët për ta nisur një hetim penal ndaj tyre.
“Pas aktgjykimit të Supremes, vazhdimi i funksionit të këtyre dy detyrave, marrja e vendimeve, dhe për rrjedhojë fakti se vendimet kanë ndikim, për mua përmbushet elementi i qëllimit, i cili është element vendimtar i kategorisë së veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit”, shprehet Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.
Gjykata Supreme e rrëzoi më 2025 një udhëzim administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke gjykuar se ai ishte i paligjshëm, sepse Murati po ushtronte dy funksione – të deputetit dhe të ministrit.
Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, argumenton për Radion Evropa e Lirë se mbajtja e pozitës së kryeministrit dhe ministrave, nga persona të cilët janë betuar si deputetë, nuk përmbush elementet e veprës penale të moszbatimit të vendimeve gjyqësore.
Megjithatë, sipas tij, mbajtja e pozitës së kryeministrit dhe ministrave në detyrë, nga individë të betuar si deputetë, i përmbush “të gjitha elementet e figurës së veprës penale” të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414.1 të Kodit Penal të Kosovës.
Miftaraj shton se kryeministri dhe ministrat në detyrë, me vendimet e kohëve të fundit, kanë keqpërdorur detyrën dhe kanë shkelur kompetencat, duke “i sjellë përfitime vetes dhe personave të tjerë, disa nga të cilët publikisht [njihen si] persona të afërt me partinë, si dhe kanë dëmtuar persona të tjerë përmes veprimeve kundërligjore”.
Bajraktari e mbështet argumentin e Miftarajt, duke theksuar se në Kodin Penal mund të ketë elemente përmes të cilave konstatohet shpërdorimi i detyrës zyrtare.
Ai beson se Prokuroria do të nisë hetime për këtë rast.
Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej një deri në tetë vjet për një zyrtar që i tejkalon kompetencat e tij.
Prokuroria Speciale nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po i shqyrton kallëzimet penale, dhe nëse do të nisë hetim penal ndaj kryeministrit dhe ministrave në detyrë.
As Qeveria në detyrë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me kallëzimet penale ndaj saj, dhe pyetjes nëse anëtarët e saj po i tejkalojnë kompetencat.
Por, ajo është arsyetuar më herët se nuk mund ta ndalojë punën për shkak të tranzicionit politik.
Çfarë vendimesh mori Qeveria në detyrë dhe cilat janë përgjegjësitë e saj?
Ligji për Qeverinë përcakton se një qeveri në detyrë ka kompetenca të kufizuara. Në mënyrë të qartë ndalohet marrja e vendimeve të rëndësishme.
Sipas këtij ligji, një qeveri në detyrë mund t’i zbatojë vetëm aktivitetet e domosdoshme, të planifikuara në planin vjetor dhe në Ligjin për Buxhetin.
Në javët e fundit, Qeveria Kurti – në detyrë që nga shpërbërja e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, muaj më parë – ka marrë vendime për emërimin e individëve në pozita të larta drejtuese edhe pas zgjedhjeve.
Ajo ka emëruar një komision të pranimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në atë të Ministrisë se Shëndetësisë.
Po ashtu, ka ngritur komisione të ngjashme edhe për poste të tjera, përfshirë atë të drejtorit ekzekutiv për Thesarin e Kosovës. Përveç emërimeve, Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime që prekin pronën publike, duke ndarë tokë dhe parcela për shfrytëzim./Radio Evropa e Lirë/
