Gjyqtari Charles L. Smith III i cili kryesoi trupin gjykues që më 16 shtator shpalli aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është një emër i njohur prej vitesh për opinionin në Kosovë.
Trupi gjykues i kryesuar nga Smith e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet, Selimin me 13 vjet dhe Krasniqin me 25 vjet – gjithsej 81 vjet burgim.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Por, shumë kohë para se të bëhej kryetar i këtij trupi gjykues në Dhomat e Specializuara, Smith kishte shërbyer në Kosovë si gjyqtar ndërkombëtar i EULEX-it.
– YouTube www.youtube.com
Nga viti 2010 deri më 2013, ai ishte gjyqtar i EULEX-it. Gjatë kësaj periudhe kishte shërbyer edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe kishte mbajtur poste drejtuese në strukturën e gjyqtarëve të misionit evropian.
Emri i tij më vonë do të përmendej nga Malcolm Simmons, ish-gjyqtar i EULEX-it dhe ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të këtij misioni, për ndërhyrje politike në çështje gjyqësore në vitin 2021.
Një nga rastet për të cilat Simmons kishte ngritur akuza ishte ai i njohur si “Kleçka”, ku ndër të akuzuarit ishte Fatmir Limaj.
Në deklaratën e tij, Simmons pretendonte se rëndësia politike që EULEX-i i kushtonte këtij rasti i ishte bërë e qartë edhe përmes një emaili të 29 janarit 2013 nga Charles Smith, në atë kohë kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Sipas dokumentit të publikuar në deklaratën e Simmonsit, Smith kishte kërkuar që rasti të caktohej sa më shpejt, duke përmendur “një numër arsyesh, shumica prej tyre politike”.
“Rëndësia politike e çështjes ‘Kleçka’ për misionin m’u theksua në një email që mora më 29 janar 2013 nga kryetari i atëhershëm i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Charles Smith. Në atë email, ai më kërkoi që çështjen ta dërgoja për gjykim sa më shpejt të ishte e mundur, për arsye që ai i përshkruante – dhe këto janë fjalët e tij në email – si një sërë arsyesh, shumica e të cilave ishin politike. Pra, po më kërkohej ta caktoja çështjen për gjykim për një sërë arsyesh, shumica e të cilave politike, dhe ato arsye politike lidheshin me dialogun dhe marrëdhëniet e BE-së me Serbinë. Pasi u caktova në trupin gjykues në vitin 2013, mora udhëzime… Më pas, Charles Smith më informoi se misioni, sipas fjalëve të tij, varej nga rezultati i kësaj çështjeje. Ai tha se misioni, sërish sipas fjalëve të tij, priste që të kishte dënime. Ai sugjeroi më tej se vendi im i punës mund të vihej në rrezik nëse të pandehurit nuk do të dënoheshin”, ka thënë ai në një video të publikuar në vitin 2021.
Simmons kishte thënë se shqetësimet lidhur me këtë komunikim i kishte raportuar edhe te përfaqësues britanikë në Kosovë.
Sipas tij, ai kishte dërguar një email më 11 korrik 2013 në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas ishte takuar me zëvendësambasadorin britanik për të diskutuar pretendimet e tij për ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të EULEX-it në procese gjyqësore.
“Këtë bisedë me Charles Smith ia raportova Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes një emaili më 11 korrik 2013. Më pas u takova me zëvendësambasadorin britanik për të diskutuar ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të EULEX-it në proceset gjyqësore. Për shkak të detyrimeve të mia sipas Ligjit britanik për sekretet zyrtare, nuk mund të hyj tani në detaje lidhur me atë bisedë”.
Pas aktgjykimit, edhe Fatmir Limaj iu referua debatit rreth integritetit të gjyqtarëve dhe përvojës së tij me proceset e mëhershme.
“Mos harroni, veç tash dy ditë flitet për gjyqtarët e komprometuar, unë i kam përjetuar ato raste. Pesë raste së paku dhe veç tani nis të përmendet karakteri e integriteti personal i gjyqtarit. A po shihni sa është i rëndësishëm integriteti personal i një gjyqtari?”, deklaroi Limaj para mediave.
Ai më tej tha se një gjyqtar që, sipas tij, kishte zbatuar “vendime e urdhra politikë” në Kosovë, kishte kryesuar trupin gjykues që dha aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. /Telegrafi/