Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka kundërshtuar deklaratën e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kos i cilësoi Dhomat e Specializuara si një “organ gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur”. Ajo tha se vendimi lidhet me “përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”.
Mishetiq ka thënë se paanshmëria e Dhomave të Specializuara në rastin e Thaçit ende nuk është përcaktuar dhe se Kos nuk duhet ta paragjykojë këtë çështje.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiq.
Ai bashkëngjiti një raport të Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, për të cilin tha se ngre pikëpyetje mbi paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues.
Në raport, Komiteti kishte identifikuar probleme serioze lidhur me mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht sa i përket të drejtës për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm në Dhomat e Specializuara. Raporti gjithashtu kishte konstatuar se mandati i Speciales kishte pësuar devijim nga qëllimi i saj fillestar.
Ndërkohë, më 16 shtator, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kishte kërkuar që vendimi i Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së të respektohet. /Telegrafi/