Policia e Shkodrës këtë të premte ka vënë në pranga një 19-vjeçar pasi në banesën e tij u gjendën 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Livadhet 3”, në pranga ka rënë O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.
“Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale ‘Vjedhja’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara ‘Lvadhet 1’ dhe ‘Livadhet 2’, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025″.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/