Pesëmbëdhjetë zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) kanë përfunduar me sukses një trajnim profesional në Danimarkë, duke u certifikuar në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Kopenhagë.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, dhe kryeinspektori Muamer Bikliqi. Të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoresha e Shërbimit danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy shtetet.
Gjatë fjalës së tij, Hoti theksoi se kjo ceremoni shënon suksesin e një grupi profesionistësh korrektues nga Kosova, të cilët me përkushtim dhe seriozitet kanë përfunduar një trajnim të avancuar në sistemin korrektues danez. Ai e cilësoi këtë përvojë si një mundësi të rëndësishme profesionale dhe njerëzore, të ndërtuar mbi vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe profesionalizmit.
Zëvendësdrejtori i SHKK-së vlerësoi gjithashtu marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për akomodimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, duke e cilësuar atë si një partneritet unik dhe të besueshëm, që dëshmon besimin e Danimarkës në kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe në menaxhimin e sistemeve moderne të korrektimit.
Hoti shprehu mirënjohje për autoritetet daneze, trajnerët dhe mentorët për profesionalizmin, mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo ceremoni nuk përfaqëson fundin e një procesi, por fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit, i cili kërkon standarde të larta profesionale, etikë dhe angazhim të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues nga Kosova për përfundimin e suksesshëm të trajnimit, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Ai falënderoi gjithashtu stafin danez për angazhimin dhe mikpritjen, duke nënvizuar se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se në të ardhmen pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimet.
Trajnimi gjashtëmujor mbi sistemin korrektues danez u vlerësua për standardet e larta profesionale, ku zyrtarët kosovarë treguan disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm në çdo fazë, duke përvetësuar njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë më tej kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës.