Sot shënohen 14 vjet nga një prej tragjedive më të rënda natyrore në Kosovë, kur fshati Restelicë në komunën e Dragashit u godit nga një ortek i fuqishëm bore, duke marrë jetën e dhjetë banorëve, të gjithë nga e njëjta familje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në dimrin e vitit 2012, kur masat e mëdha të borës u shkëputën nga shpatet përreth dhe goditën shtëpitë e banorëve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje të pakthyeshme njerëzore.
Si pasojë e ortekut, u shkatërruan dhjetëra shtëpi dhe u rrezikua siguria e shumë familjeve në këtë zonë malore.
Nga kjo fatkeqësi mbijetoi vetëm Amsera Reka, e cila në atë kohë ishte 7 vjeçe.
Ajo humbi babanë, nënën, vëllain dhe gjyshërit, ndërsa sot jeton te të afërmit e saj. Historia e saj u bë simbol i dhimbjes dhe solidaritetit që pasoi tragjedinë në Restelicë.
Tragjedia e Restelicës mbetet një kujtesë e dhimbshme për rrezikun që paraqesin fenomenet natyrore në zonat malore dhe rëndësinë e masave parandaluese për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Çdo vit, banorët dhe institucionet e vendit përkujtojnë viktimat, duke nderuar kujtimin e tyre dhe duke reflektuar mbi nevojën për menaxhim më të mirë të rreziqeve natyrore. /Telegrafi/