Sipas Sky Sports, zyrtarë të lartë të Ligës Profesionale Saudite presin që Cristiano Ronaldo t’i japë fund “grevës” dhe të rikthehet në aksion këtë javë.
Ronaldo mungoi në fitoren 1-0 të Al Nassr ndaj Al Riyadh, por tani pritet të luajë të premten kundër Al Ittihadit, pasi besohet se ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me situatën e krijuar.
Portugezi, i cili të enjten mbush 41 vjeç, nuk ishte parë pranë qendrës stërvitore të Al Nassr, ndërsa disa raportime pretendonin se ai ishte kthyer në Portugali përpara ditëlindjes.
Megjithatë, këto raportime nuk rezultuan të sakta, pasi Ronaldo është rikthyer sot në stërvitje, gjë që e ka konfirmuar vetë përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale, ku ka vendosur dy zemra me ngjyrat e klubit.
Sipas mediave, Ronaldo ishte i pakënaqur me investitorët kryesorë të futbollit në Arabinë Saudite, pasi rivali kryesor, Al Hilal, arriti ta transferojë Karim Benzeman nga Al Ittihad, një lëvizje që, sipas tij, prish balancat e kampionatit.
Cristiano Ronaldo mbetet ndër golashënuesit më të mirë të Ligës Profesionale Saudite, me 17 gola në 18 paraqitje, ndërsa synimi i tij i madh vazhdon të jetë arritja e shifrës historike prej 1000 golash në karrierë. /Telegrafi/