Ethet e futbollit para Botërorit që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë po arrijnë gradualisht kulmin, teksa kombëtaret kanë nisur të zbulojnë listat e tyre.
Ndërsa shumica e ekipeve kombëtare i publikojnë emrat në mënyrën tradicionale, Zvicra – ka vendosur një veprim marketingu që nuk është parë më parë, pasi publikimi i listës do të shtrihet praktikisht në tri ditë.
Nën sloganin “Gjej skuadrën”, Shoqata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka vendosur që tifozët, përmes lojërave dhe enigmave, të zbulojnë vetë se cilët futbollistë do të përfaqësojnë Zvicrën në Kupën e Botës, ku ajo do të përballet me Bosnjën dhe Hercegovinën, Kanadanë dhe Katarin.
Kërkimi i emrave në rrjetet sociale do të zhvillohet të hënën dhe të martën në profilet zyrtare të përfaqësueses zvicerane në Instagram, Facebook dhe TikTok, ku do të publikohen gjithsej 11 fotografi krijuese.
Në këto foto, në mënyrë të pazakontë dhe të fshehur, do të integrohen emrat e futbollistëve të përzgjedhur nga selektori Murat Yakin për Botërorin. Tifozët do të duhet të futen në një lloj “gjuetie thesari”, duke analizuar çdo njoftim në detaje për të krijuar, pjesë-pjesë, listën përfundimtare.
Ajo që e bën këtë ide edhe më të veçantë është fakti se vëmendja do të jetë te “klasa punëtore”, jo te yjet.
Fotot nuk do të fokusohen te futbollistët, por te qytetarë të zakonshëm zviceranë në vendet e tyre të punës. Përmes imazheve të luleshitësve, zjarrfikësve, punëtorëve të ndërtimit dhe profesioneve të tjera nga industri të ndryshme në të gjithë vendin, federata synon t’i bëjë homazh shoqërisë zvicerane dhe të shfaqë diversitetin e saj, në përputhje me moton e ekipit: “Ne jemi Zvicra”.
“Ne duam ta prezantojmë Zvicrën tonë në të gjitha segmentet e saj. Punëtorët që morën pjesë në këtë projekt shfrytëzuan rastin edhe për të dërguar mesazhe personale mbështetjeje për ekipin. Kjo na tregoi edhe një herë se sa shumë e lëviz ekipi kombëtar vendin tonë – nga të rinjtë te të moshuarit, nga luleshitësi te zjarrfikësi”, ka thënë Adrian Arnold, drejtori i komunikimeve të korporatave në SFV.
Përzgjedhësi Murat Yakin do ta shpallë listën përfundimtare të mërkurën, duke bërë shaka se do t’i “zgjidhë” edhe vetë enigmat.
“E di që e gjithë Zvicra mezi e pret këtë listë. Prandaj mendoj se është shumë mirë që po e publikojmë në një mënyrë kaq krijuese, duke përfshirë njerëz nga profesione të ndryshme. Edhe pse unë, sigurisht, i di ‘zgjidhjet’, do ta ndjek me kujdes çdo imazh dhe do t’i zgjidh enigmat në internet”, tha Yakin me buzëqeshje.
Si kujtesë, Bosnja dhe Hercegovina dhe Zvicra do të përballen në raundin e dytë të Grupit B në stadiumin SoFi në Los Angeles, ndërsa zviceranët hyjnë në këtë grup si favoritët kryesorë. /Telegrafi/