Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se është duke monitoruar me kujdes të shtuar dhe në mënyrë të vazhdueshme shqetësimet e konsumatorëve lidhur me devijimet e mundshme të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, procesi përfshin grumbullimin e informatave me qëllim që të sigurohet një matje e drejtë dhe e saktë e konsumit për të gjithë konsumatorët, duke garantuar kështu edhe faturim korrekt.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të dyshimeve për probleme të tilla, fillimisht të kontaktojnë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, KEDS, për verifikim dhe inspektim të njehsorëve elektrikë.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mospërputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Nëse konstatohet se ka gabime në funksionimin e njehsorëve, do të ndërmerren masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Më tej, ZRRE thekson se KEDS dhe KESCO operojnë si ndërmarrje të rregulluara brenda kornizës ligjore, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga vetë rregullatori, çka kufizon mundësinë e përfitimit nga gabimet eventuale në matje.
Sipas njoftimit, gabimet e mundshme në matjen e energjisë elektrike mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre.
ZRRE gjithashtu rikujton se përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrikë është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, si institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.
Në fund, ZRRE rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe për sigurimin e një sistemi energjetik të drejtë, transparent dhe të besueshëm në vend.