Dominik Szoboszlai ka thënë se Liverpooli “duhet të zgjohet” pasi pësoi një gol barazimi në minutat e fundit në barazimin 1-1 ndaj Tottenhamit.
Skuadra e Arne Slot u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë në “Anfield”, ku goli i hershëm nga goditja e lirë e Szoboszlait u anulua në momentet e fundit nga një gol i Richarlison.
Liverpooli tashmë ka pranuar tetë gola në minutën e 90-të ose më vonë në Liga Premier këtë sezon, numri më i madh i golave të pësuar në një sezon të vetëm në këto minuta.
Si pasojë e këtij barazimi, Liverpooli humbi mundësinë të rikthehet në top katërshe, ndërsa Szoboszlai paralajmëroi bashkëlojtarët se nëse nuk përmirësohen, mund të jenë me fat nëse arrijnë të sigurojnë një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm.
“Është një zhgënjim i madh. Nuk e di çfarë ndodhi. Nuk kam çfarë të them. Përsëri në minutën e fundit, nuk e di sa herë ka ndodhur këtë sezon. Duhet të zgjohemi”.
“Ndihem shumë i zhgënjyer. Duhet të zgjohemi, sepse nëse vazhdojmë kështu, duhet të jemi të kënaqur edhe me Ligën e Konferencës. Nuk e di pse po ndodh kjo, sinqerisht nuk e di”.
“Mendoj se në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, e kontrolluam ndeshjen dhe ata pothuajse nuk krijuan raste, përveç një ose dy goditjeve me kokë. Në pjesën e dytë nuk bëmë të njëjtat gjëra”.
“Do të ulemi të gjithë bashkë dhe do ta analizojmë situatën. Ky është momenti më i vështirë, por duhet të qëndrojmë të bashkuar”.
Megjithatë, mesfushori kërkoi edhe mbështetjen e tifozëve të Liverpoolit, pasi disa pjesë të publikut në “Anfield” fishkëllyen skuadrën në përfundim të ndeshjes.
“Nuk i dëgjova fishkëllimat, por mund t’i kuptojmë. Nuk po performojmë siç duhet”.
“Ata duhet të qëndrojnë pas nesh, sepse sezonin e kaluar u bëmë kampionë katër ndeshje para fundit dhe të gjithë ishin të lumtur. Na mbështesni në këtë periudhë të vështirë”.
“Ka ende kohë për të treguar sa shumë e duam këtë klub. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë për klubin”./Telegrafi/