Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot i ofroi aleatëve amerikanë në Lindjen e Mesme interceptues dronësh nga Kievi në këmbim të disa nga raketat e tyre të mbrojtjes ajrore.
Gjatë pushtimit katërvjeçar në Ukrainë, Rusia ka përdorur masivisht dronet Shahed, të dizajnuara nga Irani, ndërsa Kievi ka zhvilluar një seri interceptuesish dronësh të lirë dhe efektivë – pajisje të dizajnuara për të goditur dronet që vijnë në ajër.
Zelensky pretendon se këta interceptues janë ndër më të mirët në botë, shkruajnë mediat.
Në të njëjtën kohë, Ukraina po përballet me mungesë të raketave për mbrojtjen ajrore PAC-3, municion i shtrenjtë që përdoret për të goditur raketat ruse që vijnë, për të mbrojtur qytetet ukrainase dhe infrastrukturën kritike.
“Problemi numër një është si të mbrojmë hapësirën e tyre ajrore. Ne jetojmë vetë me këtë sfidë. Le të flasim për armët që na mungojnë: raketat PAC-3. Nëse na i japin, ne do t’ua japim interceptuesit”, tha ai.
Më parë, Zelensky kishte ofruar të dërgonte në Lindjen e Mesme ekspertët më të mirë ukrainas për rrëzimin e dronëve iranianë, nëse liderët atje do të arrinin të bindnin presidentin rus, Vladimir Putin të pranonte një armëpushim njëmujor në Ukrainë. /Telegrafi/