Presidenti Volodymyr Zelensky tha të dielën se Kievi është gati për raundin tjetër të bisedimeve trepalëshe të paqes për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por se i takon Uashingtonit dhe Moskës të vendosin se ku dhe kur do të takohen.
Zelensky tregoi se Uashingtoni kishte propozuar të takohej në SHBA javën e ardhshme, por se Rusia nuk donte të takohej atje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne po presim një përgjigje nga amerikanët. Ose ata do të ndryshojnë vendin ku takohemi, ose rusët duhet të konfirmojnë (një takim në) SHBA”, ka thënë Zelensky në një konferencë për shtyp të shtunën.
“Ne nuk po bllokojmë asnjë nga këto iniciativa. Ne duam që të zhvillohet një takim trepalësh”.
Bisedimet e paqes kishin qenë në zhvillim e sipër në Emiratet e Bashkuara Arabe në fillim të këtij viti, por u pezulluan pasi shpërtheu lufta e Iranit pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Ndërsa Irani filloi të niste sulme hakmarrëse, konflikti u përhap shpejt në të gjithë Lindjen e Mesme, gjë që Zelensky kishte frikë se mund të tërhiqte vëmendjen globale nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Udhëheqësi ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Irani mund të shterojë rezervat e mbrojtjes ajrore nga të cilat varet Ukraina për t’iu kundërvënë sulmeve raketore ruse. /Telegrafi/