Volodymyr Zelensky ka deklaruar se sulmet e Moskës ndaj Ukrainës kanë vënë në shënjestër centralet elektrike dhe infrastrukturën tjetër kritike të vendit.
Duke folur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidenti ukrainas akuzoi Rusinë për shkatërrime sistematike në të gjithë territorin e Ukrainës.
“Nuk ka mbetur asnjë central elektrik në Ukrainë që nuk është dëmtuar nga sulmet ruse – asnjë i vetëm”, u shpreh ai, duke theksuar megjithatë se vendi vazhdon të prodhojë energji falë përkushtimit të qytetarëve dhe mbrojtjes fizike të objekteve kyçe, shkruan skynews.
Zelensky dha edhe shifra konkrete për intensitetin e sulmeve, duke bërë të ditur se vetëm gjatë muajit janar Ukraina është detyruar të përballet me 6 mijë dronë sulmues. Sipas tij, pjesa më e madhe ishin dronë të tipit “Shahed”, përveç 150 raketave ruse dhe mbi 5 mijë bombave fluturuese.
“Është kështu çdo muaj. Imagjinojeni këtë mbi qytetin tuaj – rrugë të shkatërruara, shtëpi të rrënuara, shkolla të goditura. Kjo është jeta e përditshme në Ukrainë prej katër vitesh, për shkak të Rusisë”, tha ai.
Duke vijuar fjalimin në Mynih, presidenti ukrainas foli edhe për humbjet ruse në front. Sipas tij, “çmimi që Rusia paguan për çdo kilometër është 156 ushtarë”.
“Putin mund të mos shqetësohet për këtë tani, por ekziston një pikë kur ai do të detyrohet të tërhiqet”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Rusia mobilizon rreth 40 mijë persona çdo muaj, ndonëse jo të gjithë arrijnë në vijën e frontit.
Ndërkohë, liderë nga mbarë bota janë mbledhur në Mynih për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe mundësinë e një marrëveshjeje të re bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/