Forcat ruse gjatë natës ndërmorën një sulm të madh ndaj Ukrainës, duke lëshuar mbi 400 dronë dhe rreth 40 raketa, njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Objektivat kryesore të sulmit ishin objektet energjetike në mbarë vendin. Lideri ukrainas dha përmes rrjeteve sociale edhe disa detaje rreth sulmit.
“Objektivat kryesore ishin rrjeti energjetik, fabrikat dhe stacionet e shpërndarjes së energjisë. Janë regjistruar dëme në rajonet Volinë, Ivano-Frankivsk, Lviv dhe Rivne. Në Rivne u dëmtua një ndërtesë banimi”, tha ai.
Në Ladizhin në rajonin Vinica, dronët goditën një ndërtesë administrative të një shkolle bujqësore.
“Kishte sulme edhe në rajonet e Kievit dhe Kharkivit. Në disa rajone, forcat e mbrojtjes ajrore po veprojnë ende”, shtoi Zelensky, duke u bërë thirrje partnerëve që të sigurojnë më shumë raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, Ministri ukrainas i Energjetikës, Denys Shmyhal deklaroi se forcat ruse kanë synuar nënstacionet me tension të lartë prej 750 kilovolt dhe linjat e transmetimit prej 330 kilovolt, të cilat përbëjnë kornizën kryesore të rrjetit energjetik ukrainas.
Janë goditur gjithashtu edhe objektet prodhuese, përfshirë termocentralet Burshtin dhe Dobrotvir në Ukrainën Perëndimore.
DTEK, kompania më e madhe private energjetike e Ukrainës, raportoi se pajisjet në termocentralet e saj pësuan “dëme të konsiderueshme”. Kompania e quajti këtë sulm si të 220-in që nga fillimi i pushtimit të plotë rus. /Telegrafi/