Viti 2025 ka konfirmuar edhe një herë fuqinë globale të klubeve të mëdha të futbollit, jo vetëm në rezultate sportive por edhe në marketing dhe këtë e tregon shitja e fanellave për gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga The Sun, për shitjen e fanellave, në krye të listës qëndron Real Madrid, i cili ka shitur rreth 3,133,000 fanella gjatë vitit 2025.
Në vendin e dytë renditet rivali i përjetshëm i tyre, Barcelona me 2,940,000 fanella të shitura, ndërsa podiumin e plotëson Paris Saint‑Germain me 2,546,000 fanella të shitura gjatë vitit të fundit. Dominimi i këtyre klubeve konfirmon edhe një herë ndikimin e tyre global dhe bazën e madhe të tifozëve në të gjithë botën.
Real Madridi kryeson listën e shitjeve para Barcelonës
Pas tyre vjen gjiganti gjerman Bayern Munich me 2,377,000 fanella të shitura, ndërsa në vendin e pestë befason Inter Miami me 2,166,000 fanella. Klubi nga MLS ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme në shitje, kryesisht falë ndikimit global të superyllit Lionel Messi.
Në gjashtë vendet e para renditet edhe gjiganti argjentinas Boca Juniors me 1,933,000 fanella të shitura. Ndërkohë, Manchester United vazhdon të mbetet një nga markat më të forta të futbollit botëror, duke regjistruar 1,855,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025.
Lista vazhdon me klubin brazilian Flamengo në vendin e tetë me 1,677,000, ndërsa në vendin e nëntë gjendet Chelsea me 1,422,000 fanella të shitura.
Top 10 mbyllet nga gjiganti saudit Al‑Nassr me 1,281,000 fanella, klub që është bërë globalisht i njohur pas transferimit të superyllit portugez Cristiano Ronaldo.
Top 10 klubet me më shumë fanella të shitura gjatë 2025
Një nga krahasimet më interesante të listës lidhet pikërisht me dy ikonat e futbollit modern. Klubi i Messit, Inter Miami, ka shitur 2,166,000 fanella, që është dukshëm më shumë se 1,281,000 fanellat e shitura nga Al-Nassr i Ronaldos.
Diferenca është rreth 885 mijë fanella, çka tregon ndikimin e jashtëzakonshëm komercial që Messi ka pasur në tregun amerikan dhe global.
Megjithatë, prania e dy klubeve në këtë listë dëshmon se rivaliteti historik mes Messit dhe Ronaldos vazhdon të reflektohet edhe jashtë fushës së lojës, duke ndikuar drejtpërdrejt në industrinë miliardëshe të marketingut të futbollit.
Inter Miami i Messit eklipson Al Nassr të Ronaldos
Një befasi tjetër është ajo e klubeve italiane, të cilat asnjëra nuk gjendet në top 10, teksa edhe klube tjera të mëdha si Liverpooli, Manchester City dhe Arsenali nuk kanë arritur ta gjejnë veten mes klubeve që shesin më shumë fanella.
Real Madrid – 3,133,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Barcelona – 2,940,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Paris Saint-Germain – 2,546,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Bayern Munich – 2,377,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Inter Miami – 2,166,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Boca Juniors – 1,933,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Manchester United – 1,855,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Flamengo – 1,677,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Chelsea – 1,422,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
Al Nassr – 1,281,000 fanella të shitura gjatë vitit 2025
/Telegrafi/