Krijuesi i përmbajtjes në YouTube dhe mundësi i WWE-së, Logan Paul, ka hyrë në librat e historisë duke shitur një kartë jashtëzakonisht të rrallë të Pikachu Illustrator për një rekord botëror prej 16.5 milionë dollarësh në ankand.
E njohur gjerësisht si “Mbreti i Koleksioneve”, karta e Pokémon-it, Pikachu Illustrator konsiderohet nga disa si “Grali i Shenjtë” sepse është karta më e shtrenjtë e këtij lloji dhe besohet se ekzistojnë vetëm rreth 40 kopje, transmeton Telegrafi.
Paul e bleu atë në vitin 2021 në një shitje private për 5.2 milionë dollarë, duke vendosur një tjetër rekord botëror në atë kohë si karta e Pokémon-it më e shtrenjtë e shitur.
Në këtë rast, karta iu ofrua deri te ofertuesi më i lartë nëpërmjet shtëpisë së ankandeve online Goldin, dhe një gjyqtar i rekordeve botërore Guinness ishte në event për t’u siguruar që shitja e kishte bërë atë kartën e Pokémon-it më të shtrenjtë, dhe përveç kësaj kartën më të shtrenjtë tregtare në ankand.
Pikachu Illustrator është jashtëzakonisht popullor tek koleksionistët për shkak se është dizenjuar nga Atsuko Nishida e Japonisë, e cila njihet si krijuesja origjinale e Pikachu-t.
Karta iu dha fituesve të konkursit të ilustrimit komik CoroCoro në Japoni në fund të viteve të 90-ta, por nuk u lansua kurrë në pako.
Sipas Librit të Rekordeve Botërore Guinness, asaj i është dhënë nota maksimale 10 nga Professional Sports Authenticator (PSA), i cili i vlerëson kartat nga zero, bazuar në cilësitë dhe karakteristikat e tyre, të tilla si skajet e rrumbullakosura në mënyrë të përsosur, fokusi i mprehtë dhe shkëlqimi i plotë origjinal. /Telegrafi/