Një surprizë e madhe u regjistrua në seancën e fundit stërvitore të Barcelonës përpara gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës ndaj Athletic Bilbaos, që do të zhvillohet nesër.
Ylli i ri i katalanasve, Lamine Yamal, nuk u pa në fushë me pjesën tjetër të skuadrës, duke shkaktuar shqetësim mes tifozëve dhe mediave, raportoi Mundo Deportivo.
Klubi reagoi shpejt duke qetësuar opinionin publik, duke bërë të ditur se Yamal ndodhej brenda kompleksit sportiv në Xheda, ku skuadra e Hansi Flick po përgatitet për këtë duel të rëndësishëm.
Sipas Barcelonës, 17-vjeçari po ndiqte një program të veçantë fizik të adaptuar dhe mungesa e tij nuk lidhej me ndonjë dëmtim serioz.
Megjithatë, Mundo Deportivo zbulon se arsyeja reale e mungesës së Yamal është një virus i stomakut, i cili e ka shqetësuar prej disa ditësh dhe e ka dobësuar fizikisht. Për këtë arsye, stafi teknik vendosi ta kursejë nga ngarkesa e plotë stërvitore.
Kujtohet se Yamal mungoi edhe në seancën e parë të vitit të ri, më 1 janar, për shkak të gjendjes së përgjithshme jo të mirë shëndetësore.
Trajneri Hansi Flick nuk komentoi mbi situatën e Yamalit në konferencën për shtyp para ndeshjes, pasi ajo u mbajt para stërvitjes nga e cila sulmuesi i ri mungoi, duke mos i dhënë mundësi gazetarëve të ngrinin pyetje mbi këtë çështje.
Nga ana tjetër, të gjithë lojtarët e tjerë të Barcelonës që udhëtuan drejt Arabisë Saudite u stërvitën normalisht, përfshirë edhe Ronald Araújo.
Flick bëri të ditur se pas stërvitjes do të zhvillojë një bisedë me mbrojtësin uruguaian për të marrë një vendim përfundimtar mbi aktivizimin e tij, ndonëse fillimisht nuk kishte planifikuar ta përdorte në ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos. /Telegrafi/