Xavi Hernandez dha një intervistë bombastike gjatë fundjavës, e cila mund të ketë ndikim në zgjedhjet për president të Barcelonës.
Ish-lojtari dhe trajneri pretendoi se Joan Laporta, i cili është favorit për të marrë një mandat të katërt, refuzoi mundësinë për të rikthyer Lionel Messin gjatë verës së vitit 2023.
Xavi diskutoi një sërë temash gjatë intervistës me La Vanguardia, njëra prej të cilave ishte marrëdhënia e tij me pasardhësin Hansi Flick. Ai zbuloi se të dy shkojnë shumë mirë dhe kanë respekt të madh për njëri-tjetrin.
“Marrëdhënia ime me Hansi Flick është e shkëlqyer. Ne i dërgojmë mesazhe njëri-tjetrit vazhdimisht. Unë gjithmonë e përgëzoj për ekipin, flasim për futboll. Në fakt, njëherë ai erdhi në shtëpinë time për shkak të një situate të vështirë, dhe kjo ishte një nder për mua”.
Xavi gjithashtu zbuloi se kishte kërkuar te hierarkia e Barcelonës, e udhëhequr nga Joan Laporta, që të nënshkruhej me Martin Zubimendi gjatë verës së vitit 2023, kur u konfirmua se Sergio Busquets do të largohej nga klubi.
Megjithatë, kërkesa e tij u refuzua dhe, në fund, mesfushori i atëhershëm i Real Sociedad iu bashkua Arsenal 12 muaj më vonë.
“Busquets po largohej, kështu që unë kërkova të nënshkruanin me Zubimendi. Më thanë jo për shkak të një problemi ekonomik”.
“Pas kësaj, Jordi Cruyff u largua për shkak të përbuzjes që kishin ndaj tij, është djali i Johan Cruyff. Ata, që mbajnë flamurin e Cruyfizmit. Një muaj e gjysmë më vonë, u largua edhe Mateu Alemany”.
“Në atë moment edhe unë duhej të kisha ikur. Kur ne po merrnim vendimet, ekipi po zhvillohej dhe po rritej, por kur ata filluan të marrin vendimet, niveli i ekipit ra, dhe kjo nuk është rastësi”, ka deklaruar 46-vjeçari.
Xavi, i cili po mbështet Victor Font në zgjedhjet e ardhshme, ishte shumë kritik ndaj Laportas gjatë gjithë intervistës.
Ai pretendoi se ish-presidenti i Barcelonës filloi një fushatë kundër tij, duke i thënë lojtarëve gjëra që ai tha se nuk ishin të vërteta./Telegrafi/