Filmi i ri fantastiko-shkencor “War Machine” me protagonist Alan Ritchson, është bërë aktualisht filmi më i shikuar në platformën Netflix, duke tërhequr vëmendjen e publikut në mbarë botën.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën nga 2 deri më 8 mars, filmi ka arritur rreth 39.3 milionë shikime, duke u renditur në krye të listës së platformës.
Filmi është drejtuar nga regjisori Patrick Hughes dhe ndjek historinë e një grupi rekrutësh në fazën e fundit të një kampi shumë të ashpër stërvitor për forcat speciale.
Foto: YouTube
Gjatë një ushtrimi përfundimtar, ata përballen me një kërcënim të papritur dhe vdekjeprurës nga jashtë Tokës.
Në film luajnë gjithashtu aktorët: Dennis Quaid, Stephan James, Jai Courtney dhe Esai Morales. Ritchson interpreton personazhin e nënoficerit, një veteran lufte nga Afganistani që vuan nga çrregullimi post-traumatik (PTSD).
Ai ka vështirësi të lidhet me kandidatët e tjerë dhe, pavarësisht përvojës së tij, refuzon të marrë rolin e liderit të ekipit gjatë stërvitjes.
Ngjarjet marrin kthesë dramatike gjatë një ushtrimi në terren, kur rekrutët shohin një shpërthim të çuditshëm në qiell dhe më pas zbulojnë në një përrua diçka që duket si një mjet fluturues i rrëzuar.
– YouTube www.youtube.com
Kur përpiqen ta shkatërrojnë me eksploziv, objekti transformohet në një makinë gjigante vdekjeprurëse, e cila fillon t’i ndjekë dhe t’i sulmojë.
“War Machine” ka pasur një debutim solid edhe te kritika dhe publiku.
Në faqen e njohur të vlerësimeve Rotten Tomatoes, filmi ka marrë 69 për qind vlerësim nga kritikët, ndërsa publiku e ka vlerësuar me 73 për qind, duke treguar një pritje relativisht pozitive për këtë prodhim aksion dhe fantastiko-shkencor. /Telegrafi/