Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritje të partive politike për të dërguar emrat për anëtarë të rinj në KQZ.
Disa nga partitë tashmë kanë caktuar emrat se kush do t’i përfaqësoj në KQZ, ndërkaq disa të tjera ende jo.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila do të ketë dy anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka vendosur ende për emrat.
Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka.
“Ende nuk kemi vendosur për emrat, mirëpo shumë shpejt do ti dorëzojmë tek presidentja dhe do t’i bëjmë të ditur”, ka thënë Manxhuka.
Nga PDK gjithashtu kanë bërë të ditur se ende nuk kanë vendosur për emrat.
“Ende jo. Kërkesën e Presidentes e kemi pranuar të hënë lidhur me caktimin e emrave të anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas kësaj kërkese, është paraparë një afat prej një jave për dërgimin e propozimeve. Ne kemi nisur diskutimet dhe konsultimet brenda strukturave të partisë dhe, brenda këtij afati ligjor, do t’i dërgojmë emrat e kandidatëve që i konsiderojmë më përfaqësues, me integritet profesional dhe me përvojën e nevojshme për ta përfaqësuar denjësisht PDK-në në KQZ”, kanë thënë nga PDK për Telegrafin.
Ata kanë theksuar se synimi është që në këtë institucion të rëndësishëm të propozojnë njerëz të përgjegjshëm dhe kredibilë, që kontribuojnë në ruajtjen e standardeve demokratike dhe në integritetin e proceseve zgjedhore në vend.
Kurse nga LDK, Telegrafi ka mësuar se do të jetë Sami Hamiti.
E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, emri i propozuar është Muharrem Nitaj.
Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësi i kësaj partie Kushtrim Xhemaili.
“Po, nga Aleanca për anëtar të KQZ është propozuar Muharrem Nitaj”, tha Xhemaili për Telegrafin.
Një anëtarë mund t’i ketë tri mandate të njëpasnjëshme në KQZ.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se shefja e shtetit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.
Në nenin 61 të këtij ligji, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, jepen detaje për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të këtij neni. /Telegrafi/