Volvo Buses ka marrë porosi për 15 autobusë elektrikë, Volvo BZR Electric – CD, nga gjashtë klientë të ndryshëm në Norvegji.
Sipas kompanisë, kjo përbën një hap të fuqishëm komercial për platformën më të re të autobusëve elektrikë me rreze të gjatë.
Versioni i ri i autobusit (CD) është ndërtuar mbi shasinë e autobusit Volvo BZR Electric me karrocerinë e kompanisë Carrus Delta. Porositë, kryesisht nga kompani turistike dhe charter, shoqërojnë lansimin e autobusit të ri elektrik me performanca të përmirësuara.
Klientët që porositën autobusët përfshijnë Jenssen Mobility, Schaus Buss, Charterbuss.no AS, Stjørdal Meråker Trafikkskole dhe Bussring, të cilët do t’i përdorin në një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë transportin nga/drejt aeroportit, shërbime turistike dhe “charter”, si dhe transportin e pasagjerëve në kruzera.
Përveç vetë autobusëve, klientët kanë zgjedhur zgjidhje të plota që kombinojnë autobusët elektrikë me kontrata shërbimi. Volvo Buses është angazhuar gjithashtu të ofrojë zgjidhje për furnizimin me energji dhe monitorimin e baterive, duke përfshirë zëvendësime të mundshme dhe riciklim.
Autobusët janë të pajisur me bateri 720 kWh, që u mundëson një autonomi deri në 700 kilometra. Dorëzimi i autobusëve të parë është planifikuar për vjeshtën e vitit 2026. /Telegrafi/