Prej ftohjes te zemra, tensioni dhe kanceri, ekspertët sqarojnë çfarë mund të bëjë realisht vitamina C dhe pse dozat e larta nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë
Vitamina C është një nga vitaminat më të njohura. Shpesh theksohet se mbron trupin nga ftohjet, forcon imunitetin, madje edhe se ndihmon në luftën kundër disa prej sëmundjeve më serioze. Megjithatë, edhe pse është thelbësore për funksionimin e duhur të organizmit, vitamina C shpesh bëhet objekt keqkuptimesh dhe ekzagjerimesh, thuhet në një studim të një grupi shkencëtarësh.
Çfarë është vitamina C dhe pse na nevojitet?
Vitamina C, e njohur edhe si acidi askorbik, ka disa role kyçe në organizëm. Është një antioksidant i fuqishëm me detyrë të mbrojë qelizat nga dëmtimet. Forcon sistemin imunitar, ndihmon përthithjen e hekurit dhe mundëson shërimin e mirë të plagëve. Ka rol të rëndësishëm edhe në sintezën e kolagjenit, i cili lidh indet dhe përfaqëson element strukturor të mishrave të shëndetshëm të dhëmbëve dhe të lëkurës, shpjegojnë shkencëtarët nga Sydney: Nial Wheate, Shkolla e Shkencave Natyrore, Universiteti Macquarie; Ian Jamie, ligjërues i lartë, Shkolla e Shkencave Natyrore, Universiteti Macquarie; Wai-Jo Jocelin Chan, farmaciste dhe ligjëruese, UNSW.
Çfarë ndodh nëse nuk kemi mjaftueshëm vitaminë C?
Mungesa e rëndë e vitaminës C, që çon në sëmundjen e njohur si skorbut, është shumë e rrallë te personat që ushqehen normalisht. Te skorbuti, si pasojë e mungesës afatgjatë të vitaminës C, e cila është e domosdoshme për sintezën e kolagjenit, vjen deri te gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, më pas edhe rënia e dhëmbëve, si dhe dhimbjet në nyje.
Suplemente të vitaminës C, a janë të nevojshme?
Organizmi i njeriut nuk mund ta sintetizojë vetë vitaminën C, prandaj ajo merret përmes ushqimit. Pjesa më e madhe e vitaminës C vjen nga perimet (rreth 40 për qind) dhe frutat (19 për qind). Nga ana kimike, vitamina C në suplemente është identike me vitaminën C që gjendet në ushqim. Trupi nuk bën dallim mes vitaminës kimike dhe asaj natyrale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se suplementeve u mungojnë fibrat, flavonoidet, vitaminat e tjera, mineralet dhe fitokimikatet që vijnë nga ushqimi dhe veprojnë së bashku me vitaminën C. Këto substanca të tjera ndihmojnë përthithjen e vitaminës C dhe ofrojnë antioksidantë shtesë.
Autorët e studimit na kujtojnë se, nëse kemi një ushqyerje të shëndetshme dhe të balancuar, suplementet e vitaminës C zakonisht nuk janë të nevojshme.
Për shumicën e njerëzve, suplementimi me vitaminë C nuk është i domosdoshëm. Sasi të mjaftueshme mund të sigurohen përmes një ushqimi të ekuilibruar, me konsum të agrumeve, frutave të pyllit, domateve, specave, brokolit dhe lakrës jeshile, transmeton Telegrafi.
Çfarë “shëron” vitamina C, e çfarë nuk “shëron”?
Vitamina C forcon sistemin imunitar dhe konsiderohet se ndihmon në parandalimin dhe trajtimin e ftohjes dhe gripit. Megjithatë, shqyrtimet e të gjitha provave të disponueshme tregojnë se përdorimi i rregullt i 200 mg ose dozave më të larta të vitaminës C nuk e ul shpeshtësinë e ftohjeve.
Konsiderohet se vetëm marrja e rregullt e vitaminës C mund ta përshpejtojë rikuperimin nga ftohja; në doza më të larta se 1.000 mg mund të lehtësojë shqetësimet gjatë ftohjes. Megjithatë, kjo vlen vetëm kur vitamina C merret vazhdimisht përmes ushqimit ose rregullisht si suplement. Kur përdoret vetëm në fillim të simptomave, nuk ndikon në kohëzgjatjen dhe ashpërsinë e sëmundjes. Disa studime tregojnë përfitime shumë të kufizuara nëse merret çdo ditë si suplement para se të sëmuremi. Për këtë arsye, autorët theksojnë se suplementimi rutinë me vitaminë C nuk sjell dobi të veçantë.
Sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru
Disa studime tregojnë se suplementimi me vitaminë C nuk ndikon në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë infarktin, goditjen në tru ose anginën pectoris.
Një studim thekson se suplementimi me më shumë se 200 mg në ditë mund ta ulë presionin sistolik (të sipërm) të gjakut për rreth 4 mmHg dhe atë diastolik (të poshtëm) për rreth 2 mmHg, por këto janë ndryshime shumë të vogla.
Këto efekte të vitaminës C janë të krahasueshme me ushtrimet e rregullta aerobike dhe ndoshta nuk kanë rëndësi të madhe klinike krahasuar me trajtimet konvencionale, të cilat zakonisht e ulin presionin sistolik të gjakut për të paktën 12 mmHg, theksojnë ekspertët.
Kanceri
Rezultatet nga disa studime tregojnë se suplementimi me vitaminë C nuk mund ta parandalojë zhvillimin e kancerit, përfshirë kancerin e traktit gastrointestinal, mushkërive, gjirit, prostatës dhe zorrës së trashë.
A është e mundur të merret tepër vitaminë C?
Doza e rekomanduar ditore për të rriturit është 45 mg në ditë, ose sa një gotë e vogël lëng portokalli. Kufiri maksimal i tolerueshëm i marrjes së vitaminës C është 2.000 mg në ditë për të rriturit.
Vitamina C tretet në ujë dhe largohet përmes urinës, prandaj trupi nuk mund ta depozitojë. Kjo do të thotë se nga dozat e mëdha nuk ka përfitim, ndërsa mund të paraqiten probleme shëndetësore.
Dozat e larta (më shumë se 2.000 mg në ditë) të vitaminës C mund të shkaktojnë reaksione të padëshiruara nga të lehta deri te serioze, si diarrea, të përzierat dhe ngërçet në bark. Sasi të mëdha të vitaminës C mund të jenë edhe nxitës për formimin e gurëve në veshka.
Për personat me sëmundje kronike të veshkave, vitamina C mund të jetë veçanërisht problematike, sepse veshkat nuk mund ta eliminojnë siç duhet, ndaj ajo grumbullohet dhe mund të çojë në zhvillimin e gurëve në veshka. /Telegrafi/