Pa grim të rëndë – vetëm disa hapa të thjeshtë që bëjnë diferencën
Tani është rikthyer në modë pamja natyrale, dhe kjo vlen edhe për vetullat. Ato të holla kanë mbetur në të kaluarën, ndërsa prej kohësh dominojnë “brushy brows”.
Ky trend thekson plotësinë natyrale dhe është përqafuar sidomos nga parisienet, të njohura për stilin e thjeshtë, por të rafinuar. Bëhet fjalë për vetulla të krehura dhe më të plota që e kornizojnë fytyrën në mënyrë të butë, por efektive.
Stili parisien si frymëzim
Fotografitë nga Java e Modës në Paris tregojnë se francezet preferojnë pamje natyrale me grim minimal. Fokusi shpesh është te sytë dhe vetullat. Vetullat e plota, por të rregulluara, që reflektojnë emocionet, kanë zëvendësuar prej kohësh linjat shumë të holla.
Formësimi dhe grimi
Shkulja duhet të bëhet me kujdes, me piskatore të imët dhe vetëm nga poshtë, duke respektuar formën natyrale. Shmangni shkuljen e tepërt, pasi qimet mund të mos rriten më.
Një vijë tepër perfekte mund ta bëjë fytyrën artificiale dhe më të ashpër, ndaj rekomandohet që qimet sipër të mos hiqen, por të zbehen.
Për grim, vetullat rregullohen me furçë dhe plotësohen me lëvizje të shkurtra lapsi ose hijeje për një efekt natyral, transmeton Telegrafi.
EPA
Këshilla profesionale
Grimerja parisiene Kerol Pinto këshillon ndjekjen e rritjes natyrale dhe përdorimin e produkteve që forcojnë qimet, si keratina ose vaji i ricinit.
Për stilim të përditshëm rekomandohen maskara dhe xhel me ngjyrë që japin volum dhe “hapin” shikimin. Për efekt më afatgjatë sugjerohen ngjyrosja profesionale ose trajtimi “brow lift”.
Edhe grimierja Georgina Grejem thekson rëndësinë e theksimit të harkut poshtë vetullës me tekstura kremoze, të cilat i japin thellësi shikimit dhe freski lëkurës.
/Telegrafi/