Një 50-vjeçar dyshohet se është vetëplagosur të dielën me armë zjarri në fshatin Mirenë të komunës së Lipjanit.
Aktualisht, ai po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Nga QKUK kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e të lënduarit është stabile.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka deklaruar për Telegrafin se pacienti ka kaluar ekzaminimet e nevojshme dhe ndodhet në sallën operative të Emergjencës, ku po i nënshtrohet intervenimit nga ekipet e anestezionit dhe urologjisë.
“Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, tani është në sallën operative të Emergjencës duke u intervenuar nga ekipet e anestezionit dhe urologjisë. Pas operacionit do të transferohet në Klinikën e Urologjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla.
Ende nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur rasti, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të hetimeve./Telegrafi/