Prokuroria Themelore në Ferizaj,Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale R.K.,- Komuna Skenderaj, për shkak të dyshimit të veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se i pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me femijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan”, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Po ashtu, vlen të theksohet se personi i ndaluar R.K., ka qenë i pandehur edhe në rastin ‘Brezovica’, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Shmangia nga tatimi’ nga neni 313 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/