Një vetaksident ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në fshatin Dobrushë të Istogut, ku si pasojë ka humbur jetën shoferi.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 06:00 të mëngjesit policia ka pranuar informatën për një vetaksident në fshatin Dobrushë të Istogut, ku si pasojë shoferi rreth 32 vjeçar ka humbur jetën”, tha Gashi.
Gashi bëri të ditur se shoferi ishte përplasur me një shtyllë të betonit dhe se i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë policia, ekipet emergjente e zjarrfikësit. Mjeku ka konstatuar vdekjen”, tha ai.
Policia dhe njësitë relevante kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. /Telegrafi/