Jennifer Runyon, aktore amerikane e njohur për rolet e saj në filmin “Ghostbusters” dhe serialin “Charles in Charge”, ka ndërruar jetë më 6 mars në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin.
Lajmin e konfirmoi familja përmes rrjeteve sociale, duke e përshkruar si një person të dashur dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe miqve.
Miq të afërt dhe kolegë e kujtojnë Runyon si një person të veçantë.
Jennifer Runyon
Aktorja Erin Murphy e përshkroi atë si “një person të jashtëzakonshëm që do të mungojë shumë”, ndërsa vajza e saj, Bayley Corman, i dha lamtumirën me një mesazh të ndjerë në Instagram.
Jennifer lindi më 1 prill 1960 në Chicago dhe ishte e martuar me trajnerin e basketbollit, Todd Corman, me të cilin pati dy fëmijë.
Karrierën e nisi në vitin 1980 me filmin “To All a Good Night” dhe më pas luajti role të spikatura në filma si “Up the Creek” dhe seriale si “The Fall Guy”, “Quantum Leap” dhe “A Very Brady Christmas”.
Gjatë viteve 1980 dhe 1990, Runyon u bë e njohur për rolet e saj të paharrueshme në film dhe televizion.
Në vitin 2014, u tërhoq pjesërisht nga aktrimi dhe u përkushtua ndaj mësimdhënies, por vazhdon të mbahet mend si një aktore e dashur dhe ikonë e periudhës së saj. /Telegrafi/