Mesfushori Valon Berisha ka folur hapur për vendimin e tij për ta lënë Norvegjinë dhe për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një zgjedhje të ndikuar thellësisht nga familja dhe rrënjët e tij.
Berisha mori vendimin për t’iu bashkuar Kosovës në nivel senior në një kohë kur ishte pjesë e rëndësishme e përfaqësueses norvegjeze.
Ai kishte zhvilluar 20 ndeshje me Norvegjinë, ndërsa që nga viti 2016 ka regjistruar 52 paraqitje me fanellën e Kosovës, duke realizuar katër gola.
Vendimi i tij për të ndryshuar përfaqësuese nuk u kundërshtua nga federata norvegjeze.
Në një intervistë për kanalin e klubit të tij të ri, Zurich, Berisha ka treguar arsyet që e shtynë drejt këtij hapi të rëndësishëm në karrierë.
“Dua të them se ishte familja ime arsyeja që vendosa. Prindërit e mi janë nga Kosova. Ishte shtet i ri dhe përfaqësuese e re. Doja të ndihmoja”.
“Norvegjia është shtet i pasur, e Kosova shtet i ri i dalë nga lufta. Kam shumë familjarë aty dhe doja të ktheja diçka”, ka thënë Berisha.
Mesfushori ka kujtuar edhe disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, si në nivel përfaqësuesesh ashtu edhe në atë të klubeve.
Ai e veçon dygolëshin ndaj Anglisë në humbjen 5-3 në Southampton, në ndeshjen eliminatore për Kampionatin Evropian 2020, si një nga kulmet personale me Kosovën.
“Ishte moment i madh për mua. Po ashtu arritja me Salzburgun në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Për një ekip austriak të arrijë deri në atë fazë ishte diçka e madhe”.
“Por, edhe të luash me Lazion ishte moment i madh. Kisha momente të mëdha”, është shprehur Berisha./Telegrafi/