Mesfushori Valon Berisha është shumë afër të largohet nga klubi austriak LASK, kurse është afër t’i bashkohet Zeljeznicar të Bosnja Hercegovinës.
Berisha është njoftuar nga LASK-u para disa javëve që nuk është më në planet e trajnerit, andaj është i lirë për t’u bërë me klub të ri këtë muaj.
Siç raporton mediumi boshnjak “sportbc.ba”, negociatat mes klubit dhe Berishës janë në fazën finale, kurse ka shpresë jashtëzakonisht të madhe që marrëveshja do të mbyllet për një kohë të shkurtër.
Zeljeznicar beson se Berisha do të sillte jo vetëm cilësi të madhe në mesfushë, por edhe një ngritje të ndjeshme të aspektit në anën e marketingut.
Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të parë nëse Berisha do të veshë fanellën blu dhe do ta udhëheqë skuadrën në garën për një vend në Evropë gjatë pranverës.
Berisha ka një karrierë të bujshme pasi ka luajtur për klubet e mëdha si Lazio, RB Salzburg, Fortuna, Reims dhe së fundmi LASK.
Mesfushori i lindur në Suedi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, ndërsa nga viti 2016 ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, me të cilën ka regjistruar 52 paraqitje dhe katër gola./Telegrafi/