Dy ushtare izraelite u desh të shpëtoheshin nga policia pasi u ndoqën nga një turmë burrash ultra-ortodoksë hebrenj, shkruan BBC.
Pamjet nga qyteti i Bnei Brak tregonin gratë duke vrapuar nëpër rrugët e mbushura me mbeturina dhe kazanë të përmbysur, ndërsa oficerët e policisë formuan një barrierë mbrojtëse. Më shumë se 20 persona u arrestuan, transmeton Telegrafi.
Raportet sugjerojnë se ushtarët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit u besuan ishin ngatërruar gabimisht se kinse po përpiqeshin të zbatonin urdhra për rekrutim ushtarak.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e hebrenjve izraelitë, por hebrenjtë ultra-ortodoksë kanë qenë prej kohësh të përjashtuar. Lëvizjet për ta reformuar këtë kanë shkaktuar zemërim në mesin e komunitetit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e dënoi incidentin si “të papranueshëm”.
“Ky është një minoritet ekstrem që nuk përfaqëson të gjithë komunitetin Haredi [ultra-ortodoksë]”, tha Netanyahu në një postim në X.
“Ne nuk do të lejojmë anarki dhe nuk do të tolerojmë asnjë dëm ndaj ushtarakëve të IDF dhe forcave të sigurisë që kryejnë detyrat e tyre me përkushtim dhe vendosmëri”, shtoi ai.
Udhëheqësit fetarë hebrenj gjithashtu dënuan veprimet e atyre që ishin të përfshirë në trazira.
Policia në Bnei Brak, në periferi të Tel Avivit, përdori granata tymuese kundër turmës dhe arrestoi 23 persona, tha policia në një deklaratë.
Tre oficerë u plagosën dhe disa automjete policie u dëmtuan, përfshirë një makinë patrullimi që u përmbys dhe një motoçikletë policie që u dogj, shtoi policia.
Ushtrueset e IDF kishin qenë në një vizitë zyrtare në shtëpi te një ushtar tjetër kur shpërtheu konfrontimi, raportoi transmetuesi izraelit Kan.
Në fund të vitit të kaluar, qindra mijëra njerëz morën pjesë në një nga protestat më të mëdha kundër rekrutimit nga ultra-ortodoksë izraelitë në vite.
Çështja e rekrutimit është bërë gjithnjë e më e diskutueshme gjatë luftës në Gaza, me qeverinë izraelite që tani po debaton projektligjin që do të kërkonte që burrat ultra-ortodoksë që nuk janë në studime fetare me kohë të plotë të shërbejnë.
Që kur u shpall shteti i Izraelit në vitin 1948, studentët e regjistruar me kohë të plotë në një shkollë fetare, ose yeshiva, janë përjashtuar nga rekrutimi.
Ky përjashtim u shpall jokushtetues nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Izraelit më shumë se një dekadë më parë. Marrëveshjet e përkohshme për ta vazhduar atë u ndërprenë zyrtarisht nga gjykata vitin e kaluar, duke e detyruar qeverinë të fillojë rekrutimin e komunitetit.
Popullsia ultra-ortodokse e ka dyfishuar pjesën e saj në popullsinë e Izraelit gjatë shtatë dekadave të fundit dhe tani përbën 14%. /Telegrafi/