Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se “Ukraina nuk po humb”, në një intervistë për The Atlantic, duke theksuar se vendi i tij vazhdon rezistencën ndaj agresionit rus.
Ai u shpreh se ndalimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës do të ishte “fitorja më e madhe” për ish-presidentin amerikan Donald Trump, sidomos në aspektin politik dhe përpara zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
“Nuk ka fitore më të madhe për Trump sesa të ndalojë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës”, citohet të ketë thënë Zelensky. “Për trashëgiminë e tij, është nr. 1”.
Zelensky theksoi se Ukraina është e gatshme për negociata, por vetëm mbi baza të drejta dhe me një paqe të qëndrueshme, jo një marrëveshje të shpejtë për arsye politike, përcjell Telegrafi.
“Nuk mendoj se duhet të hedhim një marrëveshje të keqe në referendum”, ka thënë ai, duke shtuar se ideja për zgjedhje gjatë luftës vjen nga Rusia, e cila – sipas tij – synon ta largojë atë nga pushteti.
Ai shtoi se Ukraina është e gatshme si për zgjedhje ashtu edhe për referendum, por nënvizoi se nxitimi për t’i dhënë fund luftës nuk do të thotë pranimi i çdo marrëveshjeje.
“Nuk kemi frikë nga asgjë. A jemi gati për zgjedhje? Jemi gati. A jemi gati për një referendum? Jemi gati”, ka thënë ai, shkruan Kyiv Post, teksa ka mbledhur disa nga pikat kryesore të intervistës së fundit të presidentit ukrainas.
“Jemi me nxitim për t’i dhënë fund luftës”, ka shtuar ai. Por kjo nuk është e njëjta gjë, theksoi ai, me nxitimin për të arritur një marrëveshje, pavarësisht kushteve.
Kujtojmë se Kievi këmbëngul se çdo rrugë drejt paqes duhet të fillojë me garanci reale sigurie nga SHBA-ja dhe Evropa për të parandaluar agresionin e ardhshëm rus. /Telegrafi/