Pas shumë muajsh kërkimesh, është gjetur pa shenja jete Beqir Maloku, personi 69-vjeçar nga fshati Saradran i komunës së Istogut.
Sipas raportit të policisë, viktima ishte raportuar si person i zhdukur më 17 gusht 2025 rreth orës 07:00. Ndërkaq, më 7 mars 2026, familjarët kanë njoftuar policinë se ai është gjetur pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, si dhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për të kryer procedurat e nevojshme.
Policia kishte shpallur në kërkim Beqir Malokun pas raportimit të zhdukjes së tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.
Vëllai i viktimës, Isa Maloku, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka shprehur dhimbjen e thellë të familjes dhe miqve për humbjen e Beqirit.“Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot na u shuan shpresat për ta gjetur vëllain tonë të dashur të gjallë. Sot morëm lajmin e hidhur, me buzë në vaj me zemër të thyer në moshën 69-vjeçare, na la Beqir Shaqir Maloku nga fshati Saradran, komuna Istog”, ka njoftuar i vëllai i viktimës
Varrimi do të bëhet më 8 mars 2026, në ora 16:00, në varrezat e fshatit Saradran.
Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”./Telegrafi/